Pas takimit me partitë politike, para mediave ka folur kryeministri i vendit, Avdullah Hoti.
Ky i fundit tha se do të kërkojë themelimin e një komisioni parlamentar për dialogun.
Në të ai ftoi të jenë pjesëmarrës edhe partitë e opozitës, teksa theksoi se i njëjti do ta ketë rolin mbikëqyrës në dialog.
“Do të kërkoj themelimin e komisionit paralamentar për dialog. Unë ftoj partitë opozitare që të marrin rolin e tyre mbikëqyrës. Unë do tu qasem liderëve të opozitës ku do që ata e shohin të arsyeshme për t’i informuar ata rreth dialogut. Me këtë transparencë të plotë të procesit, ne do t’ia dalim mbanë. Unë do t’u çoj ftesa në formatin, kohën dhe vendin që ata dëshirojnë”, tha Hoti.
Ai foli edhe për agjendën e mundshme të takimit të 27 qershorit në Uashington, ndërsa theksoi se pritjet janë shumë pozitive.
“Agjenda e Uashingtonit do të bëhet e qartë . Pritjet janë shumë pozitive, ne shkojmë për marrëveshje me njohje reciproke. Kosova përfaqësohet nga kryeministri i vendit, dhe nga delegacioni që unë vlerësoj se duhet të jetë aty. Në emër të Republikës së Kosovës flas unë sepse kompetencat janë të qarta”, tha në fund Hoti.
Vlen të përmendet se në këtë takim të ftuar nga kryeministri Hoti nuk ishin të pranishme partitë opozitare, VV dhe PDK.