Menu Close

Hakerët publikojnë të dhënat: Rusia ka humbur mbi 450 mijë ushtarë në Ukrainë

Një grup hakerësh, i njohur si Silent Crow, pretendon se ka siguruar të dhëna nga databaza e Shërbimit Federal të Statistikave Shtetërore të Rusisë (Rosstat), sipas të cilave mbi 450 mijë persona kanë humbur jetën në luftën kundër Ukrainës.

Sulmi kibernetik dyshohet se është realizuar në bashkëpunim me grupin bjellorus Belarusian Cyber Partisans, ndërsa të dhënat janë publikuar më 7 nëntor.

Sipas raportimit të Radio Liberty, hakerët pretendojnë se kanë depërtuar në sistemin informativ të Rosstat-it për demografinë, ku ruhen të dhëna të regjistrimit të popullsisë dhe informacione për shkaqet e vdekjeve të qytetarëve, deri në gusht të vitit 2026.

Megjithatë, autenticiteti i këtyre të dhënave nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Sipas shifrave të publikuara nga grupi, numri i viktimave është rritur ndjeshëm nga viti në vit. Në vitin 2022, kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, raportohet se u vranë rreth 19 mijë persona. Në vitin 2023 shifra kaloi 42 mijë, ndërsa në vitin 2024 arriti në afro 110 mijë.

Rritja më e madhe, sipas këtyre të dhënave, është regjistruar gjatë vitit 2025, kur pretendohet se kanë humbur jetën mbi 182 mijë persona. Për vitin 2026, të dhënat jo të plota flasin për rreth 40 mijë viktima të tjera.

Hakerët pretendojnë se numri më i madh i të vrarëve, rreth 100 mijë ose 21.7 për qind e totalit, vijnë nga Distrikti Federal i Vollgës në Rusi. Ndërsa 54.9 për qind e viktimave, sipas përllogaritjeve të tyre, janë vrarë në rajonin e Donetskut.

Pjesa më e madhe e të vrarëve ishin të moshës 30 deri në 49 vjeç.

Grupi Silent Crow thotë se gjatë gjashtë muajve të fundit, në databazën e komprometuar janë shtuar mesatarisht 18 mijë e 280 regjistrime të reja çdo muaj.

Bazuar në këtë ritëm, hakerët parashikojnë se deri në fund të vitit numri i përgjithshëm i ushtarëve rusë të vrarë mund të arrijë nga 508 mijë deri në 543 mijë.

Ndërkohë, këto shifra dallojnë nga vlerësimet e organizatave dhe mediave që prej fillimit të luftës po dokumentojnë humbjet ruse përmes burimeve të hapura.

Mediumi rus Mediazona, në bashkëpunim me BBC-në dhe vullnetarë, ka identifikuar deri më tani 285 mijë e 881 ushtarë rusë të vrarë, duke publikuar emrat e tyre dhe duke u mbështetur në njoftime publike, dokumente dhe burime të tjera të verifikueshme.

Nga ana tjetër, një vlerësim i Meduza-s dhe Mediazona-s, i bazuar në të dhënat e trashëgimisë, sugjeron se numri i rusëve të vrarë mund të jetë rreth 352 mijë.

Edhe vlerësimet perëndimore flasin për humbje të mëdha. Në shtator, shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë, Richard Knighton, deklaroi se numri i ushtarëve rusë të vrarë kishte kaluar gjysmë milioni, ndërsa humbjet e përgjithshme, duke përfshirë të vrarët dhe të plagosurit, kishin arritur në 1.5 milionë.

Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës vlerëson se humbjet totale ruse, përfshirë të vrarët dhe të plagosurit, kanë kaluar 1.6 milionë.

Silent Crow nuk është hera e parë që pretendon se ka depërtuar në sisteme të rëndësishme ruse. Grupi, së bashku me Belarusian Cyber Partisans, kishte marrë më parë përgjegjësinë edhe për një sulm kibernetik ndaj kompanisë ajrore ruse Aeroflot.

Related Posts