95 vjet nga vdekja e Avni Rrustemit (Foto + Video)

Avni Rustemi lindi më 22 shtator 1895 në Libohovë, në një familje atdhetare.

Ai ishte mësues, publicist, dhe deputet shqiptar. Ka qenë themelues dhe drejtues i shoqërisë “Bashkimi” dhe anëtar i opozitës demokratike i zgjedhur deputet në dhjetorin e 1923.

I ati ishte qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin e Shën Mitër Korone në Itali, kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës.

Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke.

Gjatë veprimtarisë së tij, më 1910, ai punoi si mësues në Libohovë, në Tragjas të Vlorës më 1913, dhe në Tepelenë e në Vlorë në vitet 1916-1918. Më 1918 me nismën e tij, u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës” dhe në krye të saj organizoi demonstratën e 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë.

Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris, Esat Pashë Toptanin.

Me rikthimin e Avni Rustemit në Shqipëri, veprimtaria e tij politike vjen duke u intensifikuar. Pikërisht, më dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme.

Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri, që mori emrin federata “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi.

Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës “Atdheu”, në gusht 1922, përsëri me nismën e Avni Rustemit, më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike “Bashkimi”.

Avni Rustemi, nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë. Daljen e vendit nga prapambetja, Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. “Pa pavarësi ekonomike, – shkruan ai, – nuk mund të ketë pavarësi politike”.

Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fodullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi.

Në kushtet e ashpërsimit të kontradiktave klasore e politike të vendit nga njerëz të vënë prej qeverisë së asaj kohe, më 20 prill 1924 Avni Rustemi u plagos nga Isuf Reçi pranë Pazarit të Ri në Tiranë. Dy ditë më vonë nga plaga e vetme e marrë vdiq në spitalin e Tiranës.

Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjes, që triumfoi më 10 qershor 1924.

Ish-drejtori i arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi kishte publikuar foto të rralla të Avni Rustemit, ashtu si nuk e keni parë. Fotot i përkasin viteve 1924 nga vdekja dhe 1982 hapja e arkivolit.

Vrasja e Avni Rustemit me 20 prill 1924, pak javë para revolucionit të qershorit, ende mbart në vetvete shumë mistere. Në librin e tij “Krisma në parlament”, studiuesi Ylli Polovina i kushton ngjarjes një analizë të veçantë, ky interpretimi sillen në dy boshte, Ahmet Zogu në Tiranë dhe njerëzit e Nikolla Pashiçit në Beograd. Studiuesi Polovina trajton sipas këtij këndvështrimi këtë ngjarje të bujshme të 1924…-s.

I quajturi Revolucion Demokratik i Qershorit 1924, shpërtheu prej tre “dinamiteve”, të vendosura ngjeshur: brenda 56 ditëve. Secila nga këto mina për destabilizim total, shthurje tërësore të rendit apo rënie në luftë civile, qe rreptësisht e përllogaritur nga një qendër e specializuar për veprime të tilla. Që të treja janë në rol të qartë antishqiptar., Polovina analizon së pari antentatin kundër Ahmet Zogut, i cili prej ekzekutorit, të riut lavdikërkues Beqir Valteri, u krye qëllimisht tek shkallët e parlamentit.