9 gola të shënuar, spektakël në Fulham-Man. City. Fitore me zemër të ngrirë për “Qytetarët”, rritet presioni ndaj Arsenal

Fulham dhe Manchester City dhuruan një ndeshje spektakolare që do të mbahet mend gjatë. E vlefshme për javën e 14-të në Premier League, ku u shënuan plot 9 gola, rezultati final 4-5 për Man. City.

Serinë e golave për “Qytetarët” e hapi i zakonshmi Erling Haaland, i cili shënoi në minutën e 17-të, pas asistit të marrë nga Jeremy Doku. Norvegjezi shkruan historinë në Premier League, duke u bërë lojtari që arrin shifrën e 100 golave më shpejt se kushdo tjetër. Ky ishte goli i 15-të për Haaland në këtë sezon në kampionat.

Në minutën e 37-të, Haaland kthehet në asistues dhe Tijjani Reijnders dyfishon shifrat për Man. City. Në fund të pjesës së parë, Phil Foden shënoi golin e tretë për City-n, me një super goditje të fuqishme në kufijtë e zonës së rreptësisë. Në minutat shtesë të pjesës së parë, vendasit ngushtuan shifrat me golin e Smith Roëe. Pjesa e parë mbyllet 1-3 për City-n.

Pjesa e dytë në “Craven Cottage” ishte spektakolare. “Qytetarët” e nisën vrullshëm duke shënuar edhe dy gola të tjerë. Phil Foden shënoi golin e dytë personal në minutën e 48′, sërish pas asistit të Haaland dhe në minutën e 54-të ishte autogoli i Sander Berge, duke i çuar shifrat në 1-5 për City-n.

Pikërisht atëherë kur u mendua që fati i ndeshjes ishte vulosur, vjen reagimi i vendasve. Alex Iwobi shënon në minutën e 57-të një gol tejet të bukur me një goditje perfekte nga distanca. Samuel Chukwueze, i ardhur nga Milan në merkaton e verës, shënoi dy gola të bukur në minutat 72′ dhe 78′, duke ngushtuar shifrat në 4-5. Minutat e fundit ishin vërtet drithëruese për të dy ekipet, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Man. City fiton 4-5 dhe rrit presionin ndaj Arsenal. “Qytetarët” kanë 28 pikë, dy pikë më pak se “Topçinjtë”, të cilët luajnë nesër ndaj Brentford.

The post 9 gola të shënuar, spektakël në Fulham-Man. City. Fitore me zemër të ngrirë për “Qytetarët”, rritet presioni ndaj Arsenal appeared first on Telesport.