Në një kohë kur çmimi i energjisë elektrike vazhdon të rëndojë buxhetin e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë, dyshimet për saktësinë e njehsorëve elektrikë kanë ngritur shqetësime serioze në opinionin publik.
Në një diskutim në “Përballje Podcast”, Visar Azemi nga LDK ka ngritur akuza të forta lidhur me funksionimin e njehsorëve dhe ndikimin në faturimin e energjisë.
Sipas tij, një hulumtim i realizuar mbi qindra mostra tregon probleme të theksuara në matjen e kohës.
“I kam hulumtu 884 mostra… 87 për qind të tyre e masin kohën gabimisht dhe kjo ka qenë alarmi i parë”, ka deklaruar ai.
Dyshimet për faturim më të lartë
Azemi shpjegon se problemi lidhet drejtpërdrejt me tarifat e energjisë, pasi qytetarët besojnë se po shfrytëzojnë energji më të lirë gjatë natës, ndërsa në realitet mund të paguajnë më shtrenjtë.
“Kur ti ke mendu që je tu e shfrytëzu energjinë më të lirë… ti realisht je tu e shfrytëzu energjinë më të shtrenjtë, sepse njehsori ka matë gabimisht. Mua më ka duk që është një skemë skandaloze… për me i faturu qytetarët jashtëligjshëm”, ka deklaruar ai shkruan Telegrafi.
Reagimet dhe përgjegjësia institucionale
Pas publikimit të shqetësimeve, Azemi thotë se ka pasur reagim të madh nga qytetarët, me mijëra ankesa dhe dëshmi.
Ai kritikon edhe reagimin e kompanisë KEDS, e cila sipas tij e ka minimizuar problemin duke e quajtur “gabim teknik”.
“Mijëra mesazhe dhe fotografi më kanë ardhë… kjo i prek njerëzit drejtpërdrejt në xhep. Kur po flasim për 87 për qind të mostrës që është gabim, qysh është gabim teknik kjo?”, ka shtuar ai.
Në të njëjtën kohë, Azemi hedh përgjegjësi edhe mbi institucionet shtetërore për mungesë të mbikëqyrjes.
“Institucioni, qeveria, ministria… kanë dështu me mbikëqyrë dhe me mbrojt qytetarët”, shprehet Azemi.
Kërkesë për hetim dhe kthim të mjeteve
Azemi ka bërë të ditur se ka kërkuar hetim nga Zyra e Rregullatorit për Energji dhe paralajmëron veprime të mëtejshme ligjore.
“Qëllimi kryesor i imi është me insistu që këto mjete me iu kthy qytetarëve”
Ai shton se çështja duhet të trajtohet edhe në Kuvend dhe nuk duhet të mbetet vetëm në debat publik.
Kriza më e gjerë në sektorin e energjisë
Përtej çështjes së njehsorëve, Azemi vlerëson se sektori i energjisë në Kosovë po përballet me probleme strukturore dhe mungesë investimesh.
“Pa ndërtu kapacitete të reja gjeneruese, ti nuk mundesh me drejtu sektorin e energjisë. Kosova duhet me prodhu vetë energji… përndryshe rrezikon edhe sigurinë nacionale”, përfundon Azemi.
Në fund, ai thekson se pa vullnet politik dhe hetim të plotë, besimi i qytetarëve në sistemin energjetik do të vazhdojë të lëkundet.









