Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot realizon vizitën e dytë brenda një viti në Kosovë.
Kjo vizitë po bëhet në kohën kur Kosova i mbush 848 ditë nën sanksione të BE-së.
Derisa Kosova po u vuan pasojat e këtyre sanksioneve që janë vendosur në qershor të vitit 2023, askush nuk e di se kur mund të hiqen ato.
Ende nuk dihet nëse sot zyrtarja e BE-së do të sjell ndonjë lajm të mirë për këtë çështje.
Ajo që dihet është se deri më tani kërkesat e institucioneve të Kosovës për heqjen e këtyre masave, janë injoruar.
Një gjë të tillë, Ursula von der Leyen, e kishte bërë edhe në tetor të vitit të kaluar kur e kishte vizituar Kosovën.
Gjatë konferencës të përbashkët për media me Osmanin, Von der Leyen, kishte thënë se blloku evropian kishte mirëpritur ndërmarrjen e disa veprimeve nga Qeveria e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri, por ato nuk ishin konsideruar të mjaftueshme.
Ajo kishte bërë me dije se për heqjen e masave ndëshkuese duhej unanimitet i plotë i të gjitha vendeve anëtare.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjodo të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, kishte thënë von der Leyen.
Liderët institucion të Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar heqjen e këtyre masave ndaj Kosovës.
Në çdo takim me liderët e BE-së dhe te vendeve anëtare kanë vlerësuar se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës kanë janë të padrejta.
Sipas tyre, Kosova i ka përmbushur kushtet e kërkuara për heqjen e tyre.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Derisa zyrtarja e lartë e BE-së me Vjosa Osmanin do të takohet në Presidencë, ndryshe do të jetë me Albin Kurtin.
Qeveria ka njoftuar se takimi me Ursula von der Leyen do të bëhet në ndërtesën e Kuvendit.