71 dëshmitarë të mbrojtur pritet të japin dëshminë e tyre në Gjykatën Speciale në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqi. Të gjithë këtyre personave gjykata ua ka vendosur statusin “i mbrojtur” dhe rrjedhimisht dëshmitë e tyre nuk do të shfaqen për publikun njëlloj si identiteti i tyre. Këtë po e kundërshton ashpër mbrojtja e Hashim Thaçit, avokati David Hooper.
Avokati i Hashim Thaçit, David Hooper po e kundërshton formën se si Gjykata Speciale i ka vendosur nën mbrojtje 71 dëshmitarë në rastin e ish-presidentit. Hooper me anë të ankesës ka thënë se Gjyqtari i procedurës paraprake nuk i ka vlerësuar rrethanat individualisht për secilin dëshmitar, por që vendimin e ka marrë në formë të përgjithësuar, shkruan lajmi.net.
“Mbrojtja e zotit Thaçi konsideron se Gjyqtari i Procedurës Paraprake nuk ka vendosur për secilin dëshmitar dhe lidhjen specifike mes pretendimeve të rrezikut dhe mbrojtjes, por është mbështetur në “frikën subjektive të përgjithësuar në deklarata të pabazuar”, thuhet në argumentimin e avokatit Hooper.
Ky argument është kundërshtuar nga zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila ka thënë se gjyqtari ka bërë vlerësim individual nëse zbulimi paraqet një rrezik të identifikueshëm dhe se avokati Hooper sipas saj është bazuar gabimisht në faktet e pretenduara.
Pretendimet e mbrojtjes tutje konsistojnë në faktin se sipas tyre, Gjykata ka bërë vlerësim grupor të dëshmitarëve të lartëcekur, dhe jo individual ashtu siç po ashtu u tha më lartë.
Avokati Hooper thotë se gjyqtari paraprak nuk ka marrë për bazë parimin e proporcionalitetit për masat mbrojtëse për dëshmitarët, dhe në këtë formë ka ndikuar ndjeshëm në aftësinë e mbrojtjes për për të hetuar në mënyrë efektive dhe efikase provat në gjyq.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kujton se çdo masë mbrojtëse duhet të jetë proporcionale në funksion të paragjykimit të shkaktuar ndaj të Akuzuarit dhe një gjykimi të drejtë. Mbrojtja e Thaçit duket se merr në konsideratë analizën e gjyqtarit të procedurës paraprake në lidhje me vetëm gjashtë dëshmitarë identitetet e të cilëve u kërkuan të zbuloheshin 30 ditë para dëshmive të tyre përkatëse”, thuhet në dokumentin e lëshuar nga Gjykata.
“Përkundër asaj që pretendon mbrojtja e Thaçit, përfundimi i përmbajtur në paragrafin 96 të Vendimit të kundërshtuar ka të bëjë me proporcionalitetin e masave që përfshijnë gjashtë dëshmitarë, ndërsa vlerësimi dhe përfundimi i dhënë në paragrafin 97 të Vendimit të Kundërshtuar diskuton ndikimin kumulativ në të drejtat e mbrojtjes së këtyre masave mbrojtëse dhe atyre tashmë të autorizuara në lidhje me pesë dëshmitarë shtesë. 40 Në këtë kontekst vlen të përmendet se gjetjet në paragrafin 97 të vendimit të kundërshtuar janë rezultat i shqetësimeve të Mbrojtjes Thaçi në lidhje me ndikimin e pretenduar të masave mbi aftësinë e Mbrojtjes për të sfiduar çështjen e SPO dhe për të kryer hetime të duhura përpara dëshmive të dëshmitarëve. Mjafton të them se Mbrojtja Thaçi paraqet keq vendimin e kundërshtuar duke pretenduar se gjyqtari i procedurës paraprake nuk e vlerësoi si duhet proporcionalitetin”, thuhet në fund të dokumentit të lëshuar nga Gjykata Speciale.
Ndryshe, gjyqtari i procedurës paraprake ka kundërshtuar para disa ditësh kërkesat e mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit për lirim të përkohshëm nga paraburgimi.