“Gjuha shqipe është shumë e vështirë dhe shumë e koklavitur”.
Për të mbajtur trurin në punë, siç thotë 70-vjeçari, sfida e radhës për të ishte mësimi i shqipes.
Prej një viti e gjysmë, Ernst është shpërngulur nga Holanda për të jetuar në vendin tonë, pasi bashkëshortja e tij erdhi këtu me punën. Kur u tregonte miqve holandezë se do të banonte në Shqipëri, fytyrat e tyre shtrembëroheshin, pasi e konsiderojnë territorin shqiptar të rrezikshëm.
“Nuk është se Holanda nuk e pëlqen Shqipërinë, por nuk e njeh atë. Imazhi që kanë krijuar për vendin tuaj nuk është i mirë dhe të jem i sinqertë, njësoj mendoja edhe unë para se të vija të jetoja këtu. Por, menjëherë ndryshova mendim. Pavarësisht se politika është problem i madh këtu, ju keni një vend fantastik, natyrë shumë të bukur dhe njerëz shumë të dashur e të shoqërueshëm”, tha Ernst Roessingh.
Kur kthehet në vendlindjen e tij, zoti Ernst tregon përshtypjet më pozitive për Shqipërinë, pasi sheh shpresë te të rinjtë. Propozimin e Holandës për rikthimin e vizave për shqiptarët, ai e shikon të gabuar dhe i fton ata ta vizitojnë vendin tonë.
“Ndihem shumë i lirë teksa eci këtu dhe madje kam dëgjuar një grua gjermane, kur tha se ndihet më e sigurtë në Tiranë sesa në Amsterdam. Ndaj duhet të vini ta shikoni nga afër Shqipërinë, e pastaj ta gjykoni”, tha më tej Ernst Roessingh.
Traditat që ruhen, toleranca fetare, por sidomos ushqimi, kanë bërë për vete holandezin, që nuk flet për krimin shqiptar në kombin e tij.
“Përpiqem të gatuaj ndonjëherë vet darkën në shtëpi, por ju keni restorante shumë të mira me ushqim tipik shqiptar, që nuk i konkurroj dot”, tha Ernst Roessingh./Tch