E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vafije Krasniqi-Goodman, ka kujtuar sot momentin kur, shtatë vite më parë, vendosi të dalë publikisht dhe të tregojë përjetimin e saj.
Në një postim në Facebook, ajo ka treguar se ky ka qenë “hapi më i vështirë i jetës”, për shkak të paragjykimeve shoqërore që ekzistonin ndaj grave që kishin përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.
“Sot bëhen shtatë vite prej se mora hapin më të vështirë të jetës sime: vendimin për të dalë publikisht dhe për të folur për atë që më ndodhi gjatë luftës – për dhunën seksuale që e kam përjetuar si shumë gra të tjera në Kosovë. Nuk ishte vendim i lehtë. Në atë kohë, shoqëria jonë mezi e përmendte këtë temë, e lëre më ta pranonte. Por unë nuk kisha më as frikë e as turp, sepse turpi nuk ishte imi – ishte i atyre që e përdorën dhunën si armë”, shkroi ajo.
Tutje Krasniqi tha se ndjehet krenare për veprimin që e ka bërë.
“Qëllimi im nuk ishte vetëm ta shëroja plagën time, por të bëja një thirrje për drejtësi dhe vetëdijësim. Sot, shtatë vite më vonë, jam krenare që zëri im ka arritur të prekë mijëra zemra e të ndikojë në ndryshimin e qëndrimeve rreth një teme kaq të rëndë dhe tabu. Jam thellësisht falënderuese për përkrahjen e jashtëzakonshme që më ka dhënë populli ynë – çdo fjalë e mirë, çdo përqafim, çdo zë që është bashkuar me timin ka bërë që kjo barrë të jetë më e lehtë për t’u mbajtur”, shtoi ajo.