600 zyrtarë publik nuk e kanë filluar deklarimin e pasurisë para afatit të fundit të 31 Marsit 2025

Sot, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit bën të ditur se rreth 600 zyrtarë publik ende nuk kanë filluar deklarimin e pasurisë për vitin kalendarik 2024, përpara afatit të fundit të 31 Marsit 2025. Ndër këta, më së shumti vijnë nga mesi i mjekëve, profesorëve dhe Policisë së Kosovës.

Afati i fundit dhe procedurat për deklarimin e pasurisë:

Zyrtarët që kanë obligimin për deklarim duhet të qasen në sistemin elektronik të deklarimit të pasurisë, i zhvilluar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në linkun:

🔗 https://e-deklarimi.rks-gov.net/

Për të hyrë në sistem, përdoruesit duhet të përdorin numrin e tyre personal dhe fjalëkalimin e njëjtë si herët. Në rast se është harruar fjalëkalimi, ata mund ta rikthejnë duke klikuar në “Keni harruar fjalëkalimin!”, dhe duke ndjekur udhëzimet për rivendosjen e fjalëkalimit në email.

Pasojat e Mosrespektimit të Afatit:

Mosrespektimi i afatit ligjor për deklarimin e pasurisë përfshin gjoba dhe procedura penale:

  • Për vonesa deri në 15 ditë, aplikohet gjobë 30% e pagës mujore të zyrtarit.

  • Për vonesa mbi 15 ditë, Agjencia përgatit kallëzim penal në bazë të nenit 430 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Thirrja për Respektimin e Afatit Ligjor:

Agjencia bën thirrje të gjithë zyrtarëve që të respektojnë afatin ligjor për deklarimin e pasurisë dhe të sigurojnë që të dhënat e dhëna të jenë të sakta dhe të plota. /Demokracia.com/