‘6.5 milionë euro’: As pas një jave Qeveria nuk ia ndan KQZ-së buxhetin shtesë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Qeveria në detyrë ende nuk e ka kryer obligimin financiar ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor për organizimin e zgjedhjeve lokale.

As pas një jave qeveria e drejtur nga deputeti Albin Kurti, nuk i ka dhënë përgjigje kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për buxhet shtesë për organizimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Gazeta Nacionale ka mësuar se në fillim të javës KQZ-ja i ka dërguar kërkesë Qeverisë për buxhet shtesë prej 6.5 milionë eurove, i cili është i domosdoshëm për procesin organizativ.

Por, sipas burimeve të gazetës nga KQZ-ja, Qeveria nuk ka miratuar kërkesën buxhetore, ndonëse po kalon java.

Të njëjtat burime kanë thënë se çdo vonesë do të reflektojë në vonesë për fillimin e procedurave tenderuese.

Në mbledhjen e 13 qershorit, KQZ ka miratuar planin e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve lokale, i cili kap vlerën e 16 milionë e 126 e 364 euro.

Nga buxheti i përgjithshëm i planifikuar, KQZ do të kërkojë buxhet shtesë nga Qeveria e Kosovës në gati për 6.5 milionë.

Në mbledhjen e KQZ-së është thënë se një pjesë nga buxheti shtesë parasheh mbulimin e shpenzimeve për votuesit jashtë vendit, pasi që duke filluar nga këto zgjedhje, KQZ pritet t’iu dërgojë pakon me fletëvotime të gjithë shtetasve që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

Me zgjedhjet lokale të përckatuara më 12 tetor me vendim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, partitë politike kanë nisur nxjerrjen e kandidatura për kryetarë komunash.

I tërë spektri politik është fokusuar në mobilizim të strukturave për kandidaturat e tyre komunale ndërsa niveli qendror mbetet i bllokuar pa themelim të Kuvendit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit./Nacionale