Ekonomia e Kosovës ka rritur ndjeshëm varësinë nga mallrat e huaja gjatë vitit 2025. Të dhënat zyrtare të importit për periudhën janar–nëntor tregojnë se në vend kanë hyrë mallra me vlerë totale 6,37 miliardë euro, që përkthehet në një rritje 11,71 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Nëse në 11-mujorin e vitit 2024 vlera e mallrave të importuara ishte rreth 5.7 miliardë, viti 2025 ka sjellë një shtesë masive prej mbi 667 milionë në fluksin tregtar, e udhëhequr kryesisht nga nevoja për energji, automjete dhe shtimi i tregtisë me Kinën dhe Serbinë.
Harta e Importit
Gjeografia e mallrave që hyjnë në Kosovë mbetet e përqendruar në tre fuqi të mëdha, të cilat së bashku përbëjnë mbi 40 për qind të tregut:
| Shteti (Origjina) | Janar – Nëntor 2025 |
|---|---|
|
🇩🇪 Gjermania
|
899.0 milionë € |
|
🇹🇷 Turqia
|
846.5 milionë € |
|
🇨🇳 Kina
|
841.1 milionë € |
Pavarësisht se Gjermania mbetet partneri kryesor, Kina ka shënuar shtimin më agresiv gjatë vitit 2025, duke rritur eksportet drejt Kosovës me 152.8 milionë më shumë se vitin e kaluar.
Një rikthim masiv ka bërë edhe Serbia, e cila renditet e dyta për nga rritja vjetore në vlerë absolute (+103.3 milionë), e ndjekur nga India dhe Maqedonia e Veriut.
Ku po shkojnë paratë?
Energjia/derivatet dhe automjetet përbëjnë së bashku gati një të katërtën e gjithë importit të vendit, rreth 24,74 për qind.
Kategoria dominuese mbetetn karburantet, vajra minerale dhe energji elektrike, me vlerë rreth 798,5 milionë euro, ose +15,37 për qind rritje vjetore. Importi i rrymës ka arritur 247,9 milionë euro, nga rreth 104,4 milionë në 2024, pra një rritje +137,5 për qind.
Menjëherë pas energjisë vijnë automjete dhe pjesë, me rreth 776,9 milionë euro (+17,60 për qind). Edhe këtë vit, tregu duket i mbështetur ndjeshëm te veturat e përdorura, ku modelet dizel 1.5–2.0 litra (të vjetërsisë 1–10 vjet) zënë një peshë të dukshme.
Çka blejmë tjetër?
Përveç naftës dhe makinave, disa nga produktet më të impotuara janë:
Cigaret: Kosova ka shpenzuar 141 milionë për importin e cigareve (+19.9 për qind).
Shëndetësia: Importi i medikamenteve u rrit ndjeshëm me 33.1 për qind, duke arritur në 115.1 milionë.
Pijet: Pijet freskuese dhe ujërat me shije kapën vlerën e 73.1 milionëve.










