Nëntë muaj marifete procedurale për shtyrjen e nevojshme të daljes së Albin Kurtit para deputetëve dhe të ekspozohej që nuk i ka numrat. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u tha gazetarëve “mos u ngutni” në paragjykim se nuk janë numrat dhe se s’mund të bëhet qeveri, dy ditë para se perdja të binte kur Albin Kurtit i goditi sahati kushtetues më 26 tetor, dhe shkoi në parlament pa vota, pa marrëveshje politike dhe pa çahre. S’ka numra? S’ka gajle.
Kurti i tha Vjosa Osmanit ta pres deri në fundin e 10 ditëshit në mes të mandatarit të parë dhe të dytit potencial “në mos” do të jep mandatar të ri: ajo e priti. Mandatari i ri u dërgua dhe Osmani “u bind” se Glauk Konjufca “i bën numrat”. Bindja konstistoi me lexim “gjasash” të frazuara në një Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Por, 64 deputetë ‘deponuan’ qëndrimet e tyre te Osmani se “nuk ka shumicë parlamentare” për qeveri të re, por Osmani “gjasat” i peshoi te 56-shi i votave të Albin Kurtit. Konjufca e pranoi edhe vetë se votat nuk i ka, dhe se shpreson se ndokush mund ta vendos atë në udhëheqje të shtetit përmes një “bashkëpunimi”. Leximi mbizotërues, në anën tjetër, ishte se Konjufca u propozua për një shtyrje më shumë të datës së zgjedhje, në një elektoralisht të favorshme për Vetëvendosjes, me një numër më të madh të pranisë së diasporës nga fundi i fundit. Synim i ka miratuar me ‘dy duar’ të Vjosa Osmanit
…
Partia Demokratike e Kosovës (24 mandate në Kuvend) pas një mbledhje të Kryesisë tha se nuk kanë votë për Glauk Konjufcën dhe se nominimi i tij nga Albin Kurti dhe mandatimi i tij nga Vjosa Osmani, është veçse zvarritje dhe thellim i mëtejshëm i krizës politike në vend. Zgjedhjet, thanë PDK-ja, janë e vetmja zgjidhje.
“Në këtë mbledhje u ripërsërit njëzëri qëndrimi se PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, dhe se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi, duke u kthyer qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja. Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç dëmit politik, ka goditur çdo sektor, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që vitin e ardhshëm qytetarët të mbeten pa paga, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja”, thanë nga PDK.
Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbajti konferencë për shtyp ku tregoi se nuk bëhet fjalë që ndonjë deputet i tij të ketë votë për një qeveri të Glauk Konjufcës ose Vetëvendosjes.
Abdixhiku tha se Glauk Konjufca, në rrethanat e tanishme politike, duhet të jetë i sinqertë me veten, më shumë, shumë më shumë se sa Kryetari i tij, dhe të konstatojë se nuk ka shumicë e as kohë për të humbur më.“Çdo përpjekje për ta zvarritur këtë proces për kalkulime të vogla elektorale, për data që në fund të ditës nuk bëjnë asnjë diference elektorale, janë përpjekje të një pushteti që nuk e lëshon dot karrigen që nuk i takon”, ka thënë Abdixhiku.
“Zvarritja e ditëve, kur e di se nuk ke shumicë, është thellim i vetëdijshëm i krizave që po na vijnë, e kështu dhe parapërcaktimit të fatit të tyre. Pas gjithë refuzimeve për unitet dhe për adresim të përbashkët shtetëror, pas tetë muajve të humbura në bllokada, pas shkeljeve të rënda kushtetuese, pas rrënimit, shtetar e demokratik, le të sillemi një herë përgjegjshëm”, ka thënë Abdixhiku.
Edhe Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka dalë kundër mandatimit të Glauk Konjufcës, ç’gjë e quajti “farsë…që duhet të merr fund” dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme. Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve.
Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike. Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Haradinaj.












