, ,

53 milionëshi, Hamza: S’kam qenë pjesë e këtij procesi, çështjen e kam deleguar te një zv.ministër

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në shqyrtimin gjyqësor të së mërkurës në rastin e njohur si “53 milionëshi”, është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit Bedri Hamza, ish-ministër i Financave, i cili tha se për procedurat e pagesës dhe marrëveshjes së shumë prej 53 milionë eurove, e kishte autorizuar zëvendësministrin Fatmir Gashi dhe se vetë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë fazë të procesit.

“E nderuar kryetare e trupit gjykues edhe para organeve kompetente kam deklaruar e sot e ripërsëris se unë nuk kam qenë pjesë e këtij procesi dhe këtë çështje e kam pas të deleguar me autorizim të veçantë tek njëri nga zëvendësministrat, në këtë rast zotëri Fatmir Gashi”, tha Hamza.

Këtë deklarim, Hamza e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Atdhe Dema, në rastin ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hamza tha se arsyeja se përse nuk ka qenë pjesë e procedurave të Komitetit Ndërministror për ndërtimin e autoudhës Prishtinë- Hani i Elezit është se ka pasur një volum të madh të punëve, andaj edhe ka autorizuar zëvendësin e tij, Fatmir Gashin.

Dëshmitari Hamza tha se Ministria e Financave nuk ka bërë mbikëqyrjen e projektit dhe se mbikëqyrjen e ka për detyrë ministria e linjës përkatëse.

Tutje, dëshmitari Hamza tha se sipas dijenisë së tij, kontrata bazë për ndërtimin e autoudhës Prishtinë- Hani i Elezit duhet të përmbajë nenet të veçanta ku specifikohen detyrimet shtesë.

Hamza sqaroi se lidhur me vendimin për rekomandimin Qeverisë së Kosovës që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enka” për pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh nuk ka pasur asnjë bisedë me zëvendësin Gashi.

“Me sa jam në dijeni, nuk kemi biseduar për këtë çështje”, shtoi Hamza.

Po ashtu, dëshmitari Hamza tha se për veprimet që ka ndërmarrë zëvendësi Gashi, nuk e ka këshilluar se si të veprojë pasi që ka qenë në kuadër të përgjegjësive të tij si i autorizuar në Komitetin Ndërministror.

Ai tha se ka njohuri për kompaninë “Hill International”, e cila kompani sipas tij ka qenë përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratës për ndërtimin e autoudhës Prishtinë-Hani Elezit.

Dëshmitari Hamza sqaroi se kompania “Bechtel & Enka” ka mundur që të bëjë zvogëlimin e dinamikës së punimeve si rezultat i mospërcjelljes me pagesa në mënyrë të rregullt dhe se sipas tij është dashur të ketë një koordinim midis palëve kontraktuese.

Lidhur me mënyrën e pagesave, dëshmitari Hamza tha se janë dokumentet zyrtare që dëshmojnë për secilën periudhë kohore se a janë bërë pagesat me rregull dhe brenda afateve ligjore apo jo.

Po ashtu, deklaroi se me të marrë detyrën e tij si ministër i Financave në shtator të 2017-ës, ka bërë të gjitha pagesat e nevojshme qofshin edhe ato për periudhat paraprake si dhe shtesë prej 53.1 milionë eurosh obligime buxhetore të papërfunduara.

Lidhur me përmbajtjen e kontratës, Hamza tha se kontrata midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë “Bechtel & Enka”, ka qenë një dokument i klasifikuar, e që sipas do të thotë se qasja në kontratë ka paraparë procedura të veçanta.

Sipas dëshmitari Hamza, në rast të mosrespektimit të afateve ligjore për ekzekutimin e pagesave, pala kontraktuese në këtë rast “Bechtel & Enka” mund t’i drejtohej përmbaruesit privat ose arbitrazhit.

Në këtë seancë, sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani, i ftuar në cilësi të dëshmitarit ka qenë edhe Fatmir Krasniqi, por i njëjti ka njoftuar gjykatën se për shkak të disa rrethanave familjare gjendet jashtë shtetit dhe ditën e hënë mund të japë dëshminë e tij.

Në mungesë të dëshmitari Krasniqi, seanca është ndërprerë për të vazhduar nesër (13 korrik), ku pritet të japë dëshminë Besnik Avdijaj.

Bedri Hamza nis dëshminë në rastin e “53-milionëshit”

Prishtinë- Bedri Hamza, ish-ministër i Financave, në kohën e Qeverisë Haradinaj, aktualisht kryetar i Komunës së Mitrovicës, ka filluar të dëgjohet të mërkurën, në cilësinë e dëshmitarit në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hamza pritej të dëshmonte në seancën e 15 majit 2023, por kjo seancë kishte dështuar për shkak se anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili ishte në trajtim mjekësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Related Posts