52.4% e votuesve të PDK-së e votuan këtë parti për shkak të Bedri Hamzës

Mbi 52 për qind e qytetarëve që votuan dje për Partinë Demokratike të Kosovës e bënë këtë pikërisht për shkak të liderit të saj, Bedri Hamza.

Sipas një sondazhi të publikuar sot, qytetarët janë pyetur për arsyen kryesore pse kanë votuar një parti të caktuar politike. Nga rezultatet del se liderët partiakë kanë pasur ndikim vendimtar, veçanërisht te votuesit e PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Bedri Hamza shënon rritjen më të madhe të përkrahjes personale. 52.4 për qind e votuesve të PDK-së kanë deklaruar se e kanë votuar partinë për shkak të tij.

Kjo përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me muajin shkurt, kur kjo përkrahje ishte vetëm 28.8 për qind, duke u pothuajse dyfishuar brenda pak muajsh.

Në anën tjetër, Albin Kurti, ka një përkrahje prej 53.7 për qind në mesin e votuesve të partisë së tij, por kjo shifër shënon rënie krahasuar me muajin shkurt, kur ishte 60.9 për qind.

Kështu, ndonëse përqindjet aktuale të Hamzës dhe Kurtit janë pothuajse të barabarta, trendi rritës i Bedri Hamzës dhe besimi gjithnjë e më i madh i elektoratit të PDK-së tek ai, e veçon liderin e kësaj partie në këtë proces zgjedhor.

Rreth 900 mijë qytetarë të Kosovës iu drejtuan dje kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel qendror.