Sot bëhen 5 vjet që nga arrestimi i Jakup Krasniqit.
Ka reaguar djali i tij, deputeti Altin Krasniqi.
Ai ka shprehur kritika për Gjykatën Speciale.
Postimi:
1,826 ditë pritje.
1,826 ditë dhimbje e krenari.
Sot bëhen pesë vite që ne presim drejtësi, ndërsa babi, edhe sot, në pleqëri, po sakrifikon si atëherë, me dinjitet e forcë.
Lufta e UÇK-së nuk lindi nga dëshira për luftë, por nga domosdoshmëria për liri. Shqiptarët e Kosovës me vite kërkuan drejtësinë e mohuar, herë me protesta e herë me parulla, por sa herë që kërkonin barazi, ata shtypeshin edhe më shumë.
Për vite të tëra, shqiptarët e Kosovës u vranë, u masakruan, u dëbuan, u burgosën e u zhdukën nga policia dhe ushtria serbe, ndërsa bota perëndimore kishte lënë në harresë të drejtën e tyre për të jetuar me dinjitet. Prandaj ata kërkuan me armë atë që me vite iu ishte mohuar me fjalë. Dhe e fituan lirinë me shumë gjak të derdhur dhe me shumë sakrifica, ajo nuk u dhurua.
Ndërsa sot, në korridoret e ftohta e të errëta të drejtësisë evropiane, po gjykohet e drejta për liri. Atje nuk po gjykohen individët, por lufta e drejtë dhe çlirimtare e një populli që pranoi se më mirë ishte të jetonte një sekond në liri sesa një jetë në robëri, sepse e dinin se popujt që i nënshtroheshin robërisë zhdukeshin.
Prandaj, a është kjo drejtësi me standarde evropiane?
A është drejtësi kur mbahesh për 5 vite në paraburgim?
A është drejtësi t’i barazosh viktimën me agresorin?
Jo! Kjo nuk është drejtësi. Është vazhdim i padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve.
Në këto 5 vite ne nuk u dorëzuam, sepse, siç kishte thënë edhe babi: “Njeriu është më i fortë se guri,
atë që s’e duron guri, e duron njeriu.”
Por babi, tashmë në moshë të shtyrë, ka mbajtur mjaft barrën e padrejtësisë.
Ndërsa ne presim, koha kalon dhe drejtësia e vonuar bëhet padrejtësi e qëllimshme.



															








