5 maji kishte sjell raundin më të çmendur të Serie A – si Interi e humbi titullin në xhiron e fundit

Në këtë ditë të vitit 2002, u zhvillua një nga finalet më të çmendura në historinë e Serie A. Plot tre klube kishin mundësi të fitonin kampionatin në raundin e fundit. Interi ishte një pikë përpara Juventusit të vendit të dytë dhe dy më shumë se Roma.

Interi do ta kishin fituar titullin nëse do të kishin triumfuar në transfertë kundër Lazios. Shumëkush ia kishte dhënë tashmë titullin Interit, por humbja tronditëse në shtëpi kundër Atalantës në raundin e 30-të i riktheu rivalët në lojë.

Juventusi luajti në transfertë kundër Udineses, ndërsa Roma përballej jashtë fushe me rivalin e qytetit të Juventusit, Torinon. Megjithatë, të gjithë besonin se Interi do të shpallej kampion, sidomos pasi disa tifozë të Lazios u kishin kërkuar lojtarëve të tyre të humbnin me qëllim, për të mos lejuar Romën të fitonte titullin në një fund dramatik.

Pas vetëm dhjetë minutash, dukej sikur Interi ishte në prag të titullit të parë pas 13 vjetësh. Christian Vieri shënoi, duke vendosur Interin në avantazh. Në atë moment, nuk kishte rëndësi që Juventusi kishte kaluar në epërsi në Udine, falë golave të David Trezeguet dhe Alessandro Del Pieros.

Karel Poborsky barazoi shpejt për Lazion, duke e rikthyer Juventusin në pozitat e favorizuara. Megjithatë, Interi kaloi sërish në avantazh me një gol nga Luigi Di Biagio.

Një katastrofë e papritur goditi Interin, i cili pësoi tre gola dhe humbi 4-2, duke rënë në vendin e tretë. Roma, ndërkohë, festoi fitoren në Torino, falë një goli të Antonio Cassano. Juventusi e mbylli i pari, Roma e dyta, ndërsa Interi rrëshqiti në vendin e tretë.

Lotët e një Ronaldo të tronditur në stol u përhapën në të gjithë botën, pasi lojtari më i mirë në botë në atë kohë, nuk e arriti titullin.

“Gjëja më e vështirë është se ishim kaq afër. Duket se zhgënjimi do të jetë partneri im i jetës, më ndjek gjatë gjithë karrierës sime. Është e vështirë për mua”, kishte thënë Ronaldo, i cili disa muaj më vonë u transferua te Real Madrid, duke u larguar mes lotëve.

Edhe presidenti i Interit, Massimo Moratti, kishte folur pas asaj humbje, që me të vërtet ishte tronditëse.

“Jam i lodhur, i zemëruar. Jam i ngopur me gjithçka. Asnjë tifoz i Interit nuk dëshiron të dëgjojë fjalë ngushëllimi sot dhe unë jam një prej tyre”, deklaroi atëkohë Moratti.

Ndërsa Ronaldo dhe tifozët e Interit qanin, tifozët e Juventusit në Udine organizuan një festë të çmendur për titullin kampion. Çdo 5 maj, tifozët e klubit të Torinos përdorin rrjetet sociale për t’u kujtuar rivalëve këtë datë dhe një nga titujt më dramatikë të fituar ndonjëherë.

“Është pak të thuash se po e shijoj këtë moment. Na kujton zhgënjimin në Perugia dy vjet më parë”, kishte deklaruar kapiteni i Juventusit, Antonio Conte, duke iu referuar vitit 2000, kur Juventusi humbi ndaj Perugias 1-0 në raundin e fundit dhe titullin e fitoi Lazio, që mundi Regginën 3-0.