45′ e para: Surpriza vjen nga “Camp Nou”, festa e Liverpool shkon dëm. Chelsea dhe Tottenham “ok”

Kanë përfunduar pjesët e para të takimeve të mbrëmjes në Champions League, të vlefshme për javën e gjashtë. Në Bergamo, Chelsea është duke fituar 0-1 ndaj Atalantës, pas golit të Joao Pedro në minutën e 25-të. Braziliani shënoi pas asistit të marrë nga kapiteni Reece James. Arbitri fillimisht e anulloi duke dyshuar për pozicion jashtë loje, ndërhyn VAR, goli quhet i rregullt.

Surpriza vjen nga “Camp Nou”, aty ku Barcelona po mundet 0-1 nga Eintracht Frankfurt. Pas një kundërsulmi perfekt dhe asistit të marrë nga Nathaniel Broën, sulmuesi 23-vjeçar, Ansgar Knauff, pasi depërtoi bukur në zonë, u tregua më i shpejtë se mbrojtësit katalanas dhe dërgon topin në rrjetë në minutën e 21-të, duke përfituar dhe nga një zënie në befasi e mbrojtjes katalanase.

Në supersfidën e mbrëmjes, Inter-Liverpool, mungoi goli në pjesën e parë në “San Siro”. Të kuqtë gjetën rrjetën me Ibrahima Konate, pas një goditjeje këndi, por goli u anullua pas ndërhyrjes së VAR, për prekje të topit me dorë nga Virgil van Dijk.

Në Eindhoven, pjesa e parë mes PSV dhe Atletico Madridit është mbyllur 1-1. Holandezët gjetën të parët avantazhin me golin e Guus Til në minutën e 10-të, “Colchoneros” barazojnë shifrat me të zakonshmin Julian Alvarez.

Në sfidat e tjera, Tottenham po fiton 1-0 ndaj Slavia Prague, falë një autogoli. Marseille është duke fituar në transfertë 1-2 ndaj Royale Union SG. Mungon goli në sfidën e fundit, Monaco-Galatasaray.

SHIKOGOLAT

The post 45′ e para: Surpriza vjen nga “Camp Nou”, festa e Liverpool shkon dëm. Chelsea dhe Tottenham “ok” appeared first on Telesport.