4 ditë pas aksidentit me 270 viktima, një tjetër avion i Air India pëson defekt teknik në ajër

Një tjetër incident është regjistruar me një avion të kompanisë Air India, vetëm katër ditë pas tragjedisë me 279 viktima në Ahmedabad.

Fluturimi AI315 i Air India, me itinerar Hong Kong – Delhi, u detyrua të devijojë dhe të kthehet në aeroportin e nisjes, pasi piloti raportoi një problem teknik në mes të fluturimit.

Sipas të dhënave zyrtare, avioni Boeing 787-8 Dreamliner, i njëjti model si ai që u rrëzua katër ditë më parë në Ahmedabad, u ul në mënyrë të sigurt dhe të gjithë pasagjerët u evakuuan sipas protokolleve të sigurisë. Avioni ndërkohë, po i nënshtrohet një inspektimi të detajuar nga autoritetet teknike.


Fluturimi ishte nisur nga Hong Kongu në orën 12:00 me kohën lokale dhe ishte planifikuar të mbërrinte në Delhi në orën 12:20 me orën indiane.

Ky incident ndodh vetëm pak ditë pas rrëzimit tragjik të fluturimit AI171, i cili u përplas mbi një ndërtesë banimi për mjekë në Ahmedabad, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 279 personave. Vetëm një pasagjer arriti të mbijetojë në atë që cilësohet si një “mrekulli”.

Hetimet për aksidentin e fluturimit AI171 vazhdojnë, ndërsa po analizohen prova të reja që mund të hedhin dritë mbi shkaqet e rrëzimit. Një video e re, që sipas një eksperti të aviacionit mund të jetë vendimtare, tregon se pozicioni i krahëve mund të mos kenë qenë i duhuri për ngritje, duke ndikuar drejtpërdrejt në humbjen e lartësisë.

Gjithashtu, është gjetur edhe kutia e zezë e dytë, që përmban incizimet e bisedave në kabinën e pilotëve, dhe pritet të zbulojë momentet e fundit përpara rrëzimit, si dhe reagimet e pilotëve.

Një pilot me përvojë, Kapiten Steve, ka sugjeruar se shkaku mund të ketë qenë një gabim njerëzor i bashkëpilotit, që bëri një veprim të thjeshtë, por fatal në fazën e ngritjes.

Ndërkaq, disa ekspertë nuk përjashtojnë mundësinë e një përplasjeje me një zog, gjë që ndonëse e rrallë për avionë të mëdhenj, ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Nuk janë përjashtuar as defektet teknike ose problemet strukturore në dizajnin kompleks të avionit Boeing 787 Dreamliner, çka do të kërkojë muaj hetimesh dhe analizash inxhinierike për ta konfirmuar.