Para 35 vjetësh në Drenas ranë dëshmorë Enver Morina, Sahit Shala dhe Shani Morina.
Sot, tre dëshmorët i kujtoi kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Ai thotë se ajo ditë kur mbetën të vrarë Enver Morina, Sahit Shala dhe Shani Morina, ishte ditë me përplot vullnet, guxim e krenari për të gjithë qytetarët, në veçanti për ata që ishin të përfshirë në organizim, masivizim dhe mbarëvajtje të demonstratës së fuqishme antijugosllave.
“Atë ditë, në altarin e lirisë, ranë për të mos vdekur kurrë, tre dëshmorë, Enver e Shani Morina dhe Sahit Shala. Në mesin e mijëra demonstruesve, u plagosën dhjetëra qytetarë”, tha Lladrovci, transmeton Klankosova.tv.
“Para 35 vitesh, Kosova vlonte nga demonstratat antijugosllave të cilat ishin organizuar jo vetëm në Prishtinë, por edhe në çdo komunë. Kështu ishte bërë i pamundur intervenimi gjakatar në çdo vend ku demonstrohej kundër terrorit serb. Megjithatë, planifikuesit terrorit kundër shqiptarëve, kishin përzgjedhur për intervenim disa komuna që i konsideronin vatra të pathyeshme atdhetarie, për të dhënë shembull të brutalitetit të tyre, për të përdorur egërsinë e forcës para qytetarëve duarthatë. Drenasi, ishte pika ku ishte përqendruar njësia speciale e Federatës jugosllave, e cila kishte për detyrë ta shuante demonstratën dhe të jepte shembull për ata që e kundërshtonin Jugosllavinë”.
“Ajo ditë, ishte ditë e kthesës së madhe, kur qytetarët me guxim iu dolën përball forcave okupatore. Ajo ditë, do ta bënte Drenasin komunën e dallueshme me rezistencën dhe ballafaqimin fyt më fyt me njësitë speciale. Atë ditë, njësia speciale jugosllave, do të ikte si pa krye, përkundër se ishin të armatosur deri në dhëmb. Ishte ditë e rëndë para 35 vitesh, por, ishte ditë kur Drenasi i tha lirisë ne jemi këtu, gjallë dhe të gatshëm për çlirim. Ajo ditë, për familjet e dëshmorëve dhe të plagosurit, ishte ditë shumë e rëndë, por, ishte ditë krenarie e cila dëshmonte se liria është më e çmuar se jeta. Lavdi dëshmorëve Enver Morina, Sahit Shala dhe Shani Morina! I paharrueshëm është kujtimi për dëshmorët e kombit!”, shkroi Lladrovci.