Vdekjet dhe lëndimet në vendin e punës në Kosovë po raportohen me shifra të ndryshme nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat dhe Inspektorati Qendror i Punës, duke nxjerrë në pah mospërputhje serioze në të dhënat zyrtare dhe sindikale.
Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), vetëm gjatë vitit 2025, 32 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërsa rreth 2 mijë punëtorë janë lënduar. Ndryshe nga kjo, Inspektorati i Punës raporton një numër gati dy herë më të ulët të rasteve fatale.
Në një përgjigje për Klan Kosovën, Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se ndërtimtaria vazhdon të mbetet sektori më i pasigurt, me nivelin më të lartë të rrezikut për punëtorët.
Megjithatë, si Sindikata ashtu edhe Inspektorati pajtohen se një nga shkaqet kryesore të vdekjeve dhe lëndimeve në vendin e punës është mungesa e kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës.
Një barrë shtesë për punëtorët, sipas sindikatës, mbetet mungesa e sistemit të sigurimeve shëndetësore. Për pasojë, shumë prej tyre detyrohen t’i mbulojnë vetë shpenzimet e trajtimit mjekësor pas aksidenteve në punë.
Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi, ka ngritur dyshime se pas mosimplementimit të projektit të sigurimeve shëndetësore, i cili ka mbetur i bllokuar për më shumë se 12 vjet, mund të qëndrojë ajo që ai e quan “mafia shëndetësore”.
Ai ka akuzuar qeveritë e mëparshme, por edhe qeverinë aktuale, se pavarësisht premtimeve të dhëna ndër vite, nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për zbatimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Sipas Azemit, edhe forma aktuale e këtij ligji nuk mbron interesat e punëtorëve.
Si mangësi të tjera, ai përmend mosklasifikimin dhe mospërfshirjen e sëmundjeve profesionale, duke theksuar se pikërisht mungesa e sigurimeve shëndetësore është një nga arsyet kryesore pse shumë punëtorë po zgjedhin të largohen nga vendi në kërkim të kushteve më të mira të punës dhe mbrojtjes sociale jashtë Kosovës.










