Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave dyshon për zjarrvënie të qëllimshme në ditët e fundit. Në një konferencë për media, zyrtarë të saj thanë se vetëm në 3 ditët e fundit janë regjistruar 300 zjarre. Agjencia ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për t’u raportuar zjarrvënësit e nga institucionet ka kërkuar nxjerrjen e tyre para drejtësisë.
400 trupa arra i janë djegur një pronari në Leqinë të Skenderajt më 8 mars, derisa edhe sistemi i ujitjes i është dëmtuar, sipas raportit 24 orësh të Policisë.
Zjarr një ditë më parë pati edhe në Dren të Zubin-Potokut, kurse në fshatin Siqevë të Prishtinës janë djegur 10 hektarë mal.
Po ashtu, disa ekipe zjarrfikësish punuan të shtunën e të dielën për shuarjen e zjarrit në Bjeshkët e Deçanit.
Për këtë situatë të krijuar, të hënën, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka mbajtur konferencë.
Drejtori i saj, Genc Metaj, ka thënë se janë regjistruar rreth 300 zjarre për tri ditë, e sipas tij, dyshimet e institucioneve janë për zjarrvënie të qëllimshme.
“Kjo gjendje paraqet rrezik për qytetarët dhe në ditët e fundit është ndjerë kjo gjendje. AME është aktivizuar në shuarjen e zjarreve dhe nga statistikat që kemi marrë është si në vijim: Vetëm në javën e parë 57 raste të zjarrit, ndërsa nga data 7 deri më 10 mars mbi 290 raste të zjarreve kanë qenë. Zjarret më serioze janë në Drenas, Kamenicë dhe Malishevë. Nëse flasim për shkaqet janë kryesisht dora e njeriut dhe ne si AME kemi ngritur gjendjen e gatishmërisë dhe që nga sot do të fillojmë patrullimin në tërë Kosovën”, ka thënë Metaj.
Metaj ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për t’u raportuar zjarrvënësit.
“Bëjmë apel: të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë, që të bashkëpunojnë me zjarrfikësit që të denoncohen rastet, qoftë edhe në mënyrë anonime në numrat aktivë, 112, 192 e 193 të cilat janë pa pagesë dhe janë 24 orë në shërbim. Inkurajojmë qytetarët të mos hezitojnë të raportojnë rastet dhe personat e involvuar, në mënyrë që të kemi parandalim dhe zvogëlim të rreziqeve. Kjo situatë po vë në rrezik jetën e qytetarëve, si dhe pronën publike dhe private”, ka shtuar ai.
Sipas Metajt, situata aktuale është jashtë normales në një formë që vë në rrezik operacionalitetin e strukturave të emergjencave, shkaku se vatrat janë të njëkohshme dhe në shumë vende.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka kërkuar nga institucionet që zjarrvënësit të nxirren sa më parë para drejtësisë.