30 vjet nga themelimi i UÇK-së, Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë

Sot janë bërë 30 vjet nga themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, i ka vizituar në Hagë Hashim Thaçin e Kadri Veselin, dy figurat kyçe të organizimit ushtarak.

Krasniqi tha se këta udhëheqës, krahas patriotëve të panumërt, sakrifikuan gjithçka që Kosova të merrte frymë lirie.

“Me të njëjtin zjarr në shpirt, ata sot qëndrojnë të palëkundur duke mbajtur peshën e historisë dhe shpresat e shtetit tonë. Duke mbrojtur luftën e popullit tonë për liri”, tha Krasniqi.

“Forca dhe dinjiteti i tyre përballë vështirësive janë dëshmi e vlerave për të cilat kemi luftuar si popull dhe qëndrueshmëria e tyre në Hagë na frymëzon të gjithëve që të vazhdojmë përpara misionin e tyre: të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë”, theksoi ai.

Ai theksoi se në këtë ditë të veçantë, kur kujtojmë UÇK-në dhe të gjithë ata që bënë sakrificat më të mëdha për lirinë tonë, qëndrojmë pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe çdo patrioti që barti flakën e luftës çlirimtare.

“Tashmë, çdo ditë e më tepër, jemi të sigurt se: Dielli do të lind përsëri!”, shtoi i pari i PDK-së.