Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për shtetasin turk M.G., i cili dyshohet se më 6 maj vrau vajzën e tij, si dhe plagosi vajzën tjetër dhe bashkëshorten, në një banesë në Prizren.
Sipas njoftimit të gjykatës, paraburgimi është caktuar për shkak të dyshimeve të bazuara se M.G. ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata thekson se masa e paraburgimit është e domosdoshme duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së tyre në ambient familjar, si dhe faktin që i pandehuri është shtetas turk pa vendbanim të përhershëm në Kosovë.
Sipas gjykatës, lënia në liri e të pandehurit do të rrezikonte arratisjen dhe mund të ndikonte në dëshmitarët dhe provat e rastit.
Ndërsa, hetimet janë ende në fazën fillestare.