3 muaj ikje nga Prokuroria për skandalin e rezervave shtetërore, a do të sillet me forcë Kurti për t’u intervistuar?

Janë bërë më shumë se tre muaj prej kur Prokuroria Speciale i ka dërguar ftesën kryeministrit aktual, Albin Kurti që të paraqitet për intervistim si dëshmitar për rastin e rezerva shtetërore.

Edhe pas kaq kohe, madje edhe me urdhër të Gjykatës Themelore, Kurti nuk po i bindet organeve të drejtësisë të cilat i sulmon gati në çdo fjalim të tij. Ky veprim i Kurtit ia vendosi një imazh të keq edhe Kosovës sepse mediat më pretigjioze raportuan për kokëfortësinë e tij, shkruan Periskopi.

Prokuroria Speciale për herë të parë i çoi ftesë Kurti me 11 dhjetor 2024, dhe deri tani në adresën e Kurtit janë dërguar fiks 4 ftesa.

Por, Kurti vazhdimisht ka insistuar që të intervistohet në zyren e Kryeministrit, madje nga zyra e tij thanë se kjo çështje është ‘politizuar’.

“Gatishmëria dhe vullneti për të dhënë dëshmi është ofruar në disa raste dhe në kohë të ndryshme në Zyrën e Kryeministrit. Në të gjitha demokracitë e zhvilluara, përfshirë ShBA-në dhe Francën, është praktikë standarde që zyrtarët e lartë të shtetit të dëshmojnë nga zyrat e tyre, për të ruajtur diskrecionin dhe për të shmangur politizimin e proceseve ligjore. I njëjti parim është zbatuar edhe në Kosovë, së paku në rastin e dy ish-kryeministrave dhe madje te zëvendëskryeministri aktual!”, thuhej në reagimin e Qeverisë.

Pasi Kurti nuk iu shkoi në zyre, Prokuroria Speciale doli me një reagim, duke thënë se “do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi”, sipas njoftimit zyrtar

Ndërkohë në lidhje më këtë hezitim të Kurtit për tu paraqitur në Prokurori, avokatët kosovar kanë thënë se kryeministri mund të gjobitet deri në 250 euro dhe të dënohet me 30 ditë burgim.

“Ana procedurale ligjore sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikes së Kosovës është e qartë Kristal, ku tashmë pas refuzimit publik të deshmitarit në këtë rast Albin Kurtit jo vetëm të deshmoi, por duke i kanosur Prokurorët që ata të shkojnë në zyrën e tij nuk lë hapësire që sundimi i ligjit të sfidohet nga askush e as nga një person që bart një funksion të lartë politik. Dispozitat e KPPRK-se neni 132 ka përcaktuar, normuar hapat se si vepron Prokurori i Shtetit dhe Gjykata pas gjobave prej 250€ lëshohet urdhërarrest dhe dëshmitari sillet me forcë dhe burgoset më së shumti 30 ditë”, ka thënë për Periskopin avokati Xhevdet Smakiqi.