Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se kanë nisur punimet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke e çuar në 37 numrin e urave në Kosovë përgjatë këtij lumi, transmeton KosovaPost.
Kurti ka thënë se aktualisht përgjatë lumit Ibër ndodhen gjithsej 77 ura, nga të cilat 35 në territorin e Kosovës. Me përfundimin e dy urave të reja në vjeshtë, ky numër do të rritet në 37.
Njëra nga urat që po ndërtohen do të jetë e dedikuar për automjete dhe këmbësorë, me gjatësi 51 metra dhe gjerësi 10 metra, përfshirë trotuare nga 1.5 metra në të dyja anët. Ura tjetër do të shërbejë ekskluzivisht për këmbësorët, me gjatësi 41 metra dhe gjerësi 3.7 metra.
Këto projekte janë rezultat i një Memorandumi Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe dy komunave të Mitrovicës – asaj të jugut dhe veriut. Vlera e përgjithshme e investimit arrin afërsisht në 3 milionë euro.
“Urime, punime të mbara, e gëzuar!”, ka shkruar Kurti në fund të njoftimit të tij.
The post 3 milionë euro për dy ura të reja në Mitrovicë – Kurti jep detajet e projektit appeared first on Kosovapost.net.