3 javë fushatë, VV vazhdon të prijë për gjuhë të urrejtjes

Demokracia në Veprim (DnV) po vazhdon me monitorimin e fushatës zgjedhore, tashmë kur ky proces ka hyrë në javën e tretë, dhe na ndajnë vetëm edhe një javë nga dita e zgjedhjeve, nëntë shkurti.

Në një komunikatë për media, DnV ka bërë me dije se java e tretë e fushatës është zhvilluar kryesisht e qetë, me përjashtim të incidentit në Skenderaj ky qytetarët protestuan kundër tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Edhe në javën e tretë fushata zgjedhore është zhvilluar në një atmosferë kryesisht të qetë, me përjashtim të një incidenti në Skenderaj me 27 janar, ku disa qytetarë janë mbledhur në qendër të qytetit dhe kanë protestuar kundër tubimit të LVV-së duke hedhur mjete piroteknike në lokacionin ku po mbahej tubimi i kësaj partie si dhe është ndërprerë edhe energjia elektrike. Ky akt ishte një sulm ndaj lirisë së grumbullimit dhe shprehjes së lirë, duke krijuar një atmosferë tensioni dhe pasigurie që bie në kundërshtim të plotë me parimet themelore të demokracisë” – thuhet në komunikatë.

Përdorimi i gjuhës së drejtë dhe jo diskriminuese

Sipas DnV-së, në javën e tretë është përkeqësuar gjuha fyese, nxitëse apo e urrejtjes. Edhe këtë herë, për gjuhë të urrejtjes ka dominuar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjatë javës së fundit ka pasur përkeqësim të mëtutjeshëm të gjuhës dhe diskursit të përdorur në fushatë. Numri i aktiviteteve ku është përdorur gjuhë fyese, nxitëse apo e urrejtjes, pothuajse është dyfishuar – me 48 raste të evidentuara vetëm këtë javë. Edhe gjatë kësaj jave, aktivitetet e organizuara nga LVV-ja, prijnë për nga numri i rasteve kur është përdorur gjuha e urrejtjes – me 13 aktivitete, apo 1/3 e aktiviteteve të zhvilluara. Pas tyre, renditet AAK me 28% të aktiviteteve me gjuhë të urrejtjes, PDK-ja me 23% të aktiviteteve, si dhe LDK-ja me rreth 20% të aktiviteteve të karakterizuara nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes”.

Fushata në hapësirën online

Deri më tani, janë monitoruar 679 kandidatë për deputetë, 447 burra dhe 232 gra.

“Gjatë tri javëve të fushatës, janë identifikuar deri në 623 raste të i) gjuhës denigruese dhe nxitjes së urrejtjes, veçanërisht në videot e realizuara nga subjektet politike dhe të shpërndara në rrjetet sociale; ii) Gjuhës së urrejtjes dhe përçmuese nga palët e treta, të cilat shpesh shfaqen në komentet e postimeve të kandidatëve për deputet/e; iii) Lajmeve të pavërteta, të cilat krijojnë dezinformim dhe përhapin mesazhe që rrezikojnë integritetin e fushatës” – thote DnV.

Sipas të dhënave, 37 për qind të këtyre rasteve kanë pasur target gratë e subjekteve politike.

“Paralisht, është bërë monitorimi i 152 portaleve (mediave online) në gjuhën shqipe dhe Serbe, ku janë identifikuar mbi 130.000 komente të bëra, prej të cilave 6% përmbajnë gjuhë urrejtjeje drejt subjekteve politike. Këto pasqyrojnë përdorimin e gjuhës se urrejtjes në komunikimet politike, duke ndikuar negativisht në diskursin publik dhe demokratik të vendit. Krahasimisht, gjuha e urrejtjes ndaj kandidatëve për kryeministër është si vijon:

-Albin Kurti – nga 10.054 postime ku ai përmendet, 7% përbëjnë gjuhë të urrejtjes

-Bedri Hamza – nga 7207 postime ku ai përmendet, 5% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.

-Ramush Haradinaj – nga 3734 postime ku ai përmendet, 4% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.

-Lumir Abdixhiku – nga 6088 postime ku ai përmendet, 4% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.

Gratë që kandidojnë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po përballen me gjuhë të urrejtjes në hapësirat online. Nga 84,813 komente të analizuara në rrjete sociale, (6%) prej tyre janë identifikuar si gjuhë urrejtjeje. Kandidatet më të targetuara përfshijnë:

-Emrije Bashota AAK– nga 6 Artikuj ku ajo përmendet, 20% përbëjnë gjuhë e urrejtjes;

-Fitore Pacolli LVV – nga 129 Artikuj ku ajo përmendet, 20 % përbëjnë gjuhë e urrejtjes;

-Besa Kabashi Ramaj PDK– nga 141 Artikuj ku ajo përmendet, 19% përbëjnë gjuhë e urrejtjes” – thuhet në njoftim.

Mesazhet e partive politike.

VV vazhdon që bosht të fushatës ta ketë veriun e vendit hde mirëqënien sociale.

Partitë opozitare, temë kryesore kanë pasur arsimin dhe ekonominë.

“Arsimi, ekonomia dhe pagat, infrastruktura, mirëqenia sociale, kultura, rinia e sporti, janë top pesë temat dhe çështjet e adresuara gjatë fjalimeve të fushatës. Në këtë javë, është evidentuar një trend i adresimit të tematikave që ndërlidhen me ekonominë dhe pagat. Lëvizja Vetëvendosje, vijon t’i ketë veriun e vendit dhe mirëqenien sociale tema bosht të fushatës së saj (në gjithsej 88 raste secila). PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, tema qendrore i kanë pasur arsimin dhe ekonominë.

Edhe këtë javë, mesazhet politike janë shpalosur kryesisht nga liderët dhe persona të caktuar të partive, pa iu dhënë mundësia të gjithë kandidatëve që vinë nga komunat përkatëse ku po mbahen aktivitetet. Në rastin e partisë në pushtet, shumica e fjalimeve në aktivitetet e mëdha janë mbajtur nga kryeministri apo anëtarët e kabinetit qeveritar, për dallim nga partitë tjera që u kanë ofruar vëmendje e hapësirë të shtuar kandidatëve nga zonat përkatëse ku është organizuar aktiviteti”.

William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka mbajtur sot një diskutim në Reporting House në Prishtinë, gjersa ka rrëfyer ngjarje nga misioni i tij në Kosovë dhe karriera. Ai tha se pas përfundimit të misionit në Kosovë, asnjë anëtar i OSBE-së nga selia kryesore, nuk e kishin pyetur asgjë lidhur me punën e tij në Kosovë. “Sa i përket detyrës të misionit verifikues të Kosovës detyra na ishte dhënë qartë që ta bëjmë punën me ndershmëri dhe sinqeritet. Ajo (Madeleine Albright) me tha ‘Zotëri Walker mendojmë që në Kroaci keni bërë punë të mirë, personalisht mendoj që ke bërë punë të shkëlqyeshme në Kosovë dhe mos të kesh merak do të kesh detyra të tjera, jo në Amerikë Qendrore, jo në Afrikë Jugore, por do të kesh misione të tjera. Por, kjo nuk ndodhi. Gjashtë muaj më vonë mua më erdhi koha e pensionimit dhe u pensionova. Kur përfundova misionin në Kosovë shkova në Vjenë, shkova në zyrat e OSBE-së, shkova në Uashington dhe asnjëherë, asnjë anëtarë i OSBE-së, i selisë kryesore, asnjëherë të vetme, askush në Departamentin e shtetit amerikan, në asnjë nivel nuk më pyeti asgjë lidhur me misionin tim në Kosovë. Nëse unë ndihesha se kisha bërë punë të mirë apo jo. Ishte shumë e çuditshme. Prandaj, karriera ime nuk shkoi askund”, tha Walker, raporton KosovaPress. Në mesin e shumë temave, Walker të shtunën foli edhe për përballjet e tij me ish-presidentin e Jugosllavisë i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq. Ai tha se Millosheviq nuk kishte “lëshuar pe” asnjëherë kur Walker dëshironte të argumentonte diçka për Kosovën, që nuk i konvenonte atij. “Millosheviqi i ka pasur gjithmonë me vete 4-5 këshilltarë pranë tij. Ata kurrë nuk flisnin, vetëm Millosheviqi fliste. Unë i thashë se kam dëgjuar se popullata e Kosovës është shumicë dërrmuese është shqiptar dhe një përqindje e vogël është serb. Më tha ‘Walker gabim je, gabim e ke, ka më shumë, do të tregoj. Ka më shumë serb në Kosovë se shqiptarë’. Nëse unë tentoja të argumentoja diçka dhe ai nuk lëshonte pe as edhe një pikë. Këshilltarët tij e përcillnin atë. Po në Hagë çfarë i the Millosheviqit kur e takove? Në vitin 2002 apo 2003 ka qenë interesante. Në vend se të takoja presidentin Millosheviq të rrethuar tani me këshilltarët e tij ja ku ishte ai, i pandehur. Ishim përballë njëri tjetrit, bisedonim me përkthim simultant. Ai e trajtonte gjykatën sikurse më kishte trajtuar mua atëherë duke thënë se ‘dëshmia e Walkerit është gënjeshtër, unë do t’iu tregoj se çfarë ka qenë e vërtetë’. Kalonte nga tema në temë”, u shpreh Walker . Walker thotë se krenaria më e madhe e tij ishte përballja me siç e quan ai kriminel lufte, Sllobodan Millosheviqin. “Ka qenë prej momenteve të krenarisë më të madhe të mijat përballja me atë kriminel lufte dhe t’ia them gjërat në sy. Kjo nuk ndodhë shpesh nëpër botë. Kam shpresuar që do t’i zgjatet jeta dhe do të plaket në burg”, tha Walker . Ndër të tjera, Walker tregoi ngjarjen se si sekretari i përgjithshëm i NATO-s atë kohë Javier Solana e kishte takuar në shkallët e selisë së NATO-s dhe e kishte pyetur se çfarë duhet të bëjnë për situatën në Kosovë. Ai tha se i kishte thënë që zgjidhje e vetme kishte mbetur bombardimi. “Unë shkova ta takoj gjeneralin Clark, ishte i zënë. Pastaj, Javier Solana sekretari i përgjithshëm në NATO. Shkova ta takoja atë edhe ai ishte i zënë më takime, me Grupin e Kontaktit. Dhe gjersa po zbrisja shkallët e selisë së NATO-s, Javier Solana ekipi i tij…ai më tha ‘Kërkoj falje që e anulova takimin, jam duke shkuar në Berlin, në Paris, në Londër, në Uashington’. Biseduam aty disa minuta dhe më befasoi kur më tha ‘Walker çfarë të bëjmë, çfarë duhet të bëjë NATO. Isha unë aty në atë moment një ambasador i thjeshtë përballë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe ai po më pyet mua se çfarë duhet të bëjë aleanca e NATO-s. Dhe unë u zura në befasi dhe u shtanga. Në pamundësi të përgjigjesha vetëm një fjalë më erdhi në mendje thashë bombardoni. Ai më shikoi dhe tha ‘A je i sigurt që duhet të bombardojmë?’. U kthjella më erdhi mendja dhe thashë ‘Po, nuk po e shoh se diçka tjetër do të funksionojë”. Pas disa ditësh filloi bombardimi. As nuk po marr merita e as faj për këtë”, tregoi Walker. Përveç këtyre, Walker foli edhe për masakrën e Reçakut, rastin “Panda” dhe ngjarje të tjera përgjatë misionit të tij në Kosovë. /KP/