28 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës

 

Sot shënohet 28 vjetori i rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Më 31 janar 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

Komuna e Podujevës sot organizon homazhe në 28 vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Do të bëhen homazhe në “Kompleksin Memorial Zahir Pajaziti” në Orllan, në Lladoc “Kompleksin Baza e Parë e UÇK-së”, Kompleksin Memorial i Dëshmorëve në Penuhë, tek Shtatoret e “Katër Dëshmorëve” në shesh.

Po ashtu 1 shkurt, nga ora 12:00, mbahet turneu Memorial “Zahir Pajaziti” në futboll në Palestrën “Hakif Zejnullahu”.