Opinionisti Albert Krasniqi ka komentuar situatën aktuale politike në vend, duke vënë theksin te dështimet e njëpasnjëshme të seancave konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ai në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, deklaroi se në takimet e fundit me partitë politike, ato të voglat ishin të gatshme për kompromis, si AAK-ja dhe NISMA, përkundër atyre më të mëdha, për cilat Krasniqi tha se situata “po iu konvenon”.
“Edhe si shoqëri civile e kemi nisur një protestë që patëm disa karrige para kuvendit për të simbolizuar dështimet të cilat po ndodhin dhe një lloj presioni publik ndaj deputetëve, por edhe disa takime me subjekte politike që të marrim përshtypjet e tyre. Në këto takime shohim që parti të vogla kanë gatishmëri për dialog dhe kompromis, por partive të mëdha nuk po iu ngutet, AAK dhe NISMA ishin të gatshme për kompromis dhe jepnin edhe opsione për të dalë nga kriza. Por partitë e mëdha duket një komoditet i gjendjes së tanishme dhe sikur kjo po iu konvenon të gjithëve. Nuk kanë veprim. Vazhdimisht është Kurti që provokon diçka dhe të tjerët veprojnë në bazë të veprimeve që ai bën, por me kësi strategjie nuk mund të marrësh asnjë rezultat”, u shpreh Krasniqi
Më tej, opinionisti u shpreh se Vetëvendosje është e gatshme të lëvizë nga qëndrimet e saj vetëm kur ndien rrezik për humbjen e mbështetjes elektorale.
Sipas tij, vetëm në këto rrethana partia pranon të bëjë kompromise.
“Beteja është më shumë me fitu në sy të publikut se cili është ai që po bllokon se sa për të provuar për të gjetur zgjidhje. Në sondazhet që bëhen në opinion publik, partitë janë aty me disa lëvizje që ndodh, as VV sidomos nuk do të lëvizë nga pozicionet nëse nuk ka rënie të dukshme elektorale vetëm atëherë kur ata e shohin rrezikun prej humbjes së mbështetjes së elektoratit atëherë mund të jenë të gatshëm për të bërë kompromise. Deri tash nuk po shohim gatishmëri për të lëvizur nga pozicionet ekzistuese dhe beteja është politike nuk është aspak procedurale. Dehari kur 6 herë sa dështoi Haxhiu, lëviz dhe ndryshoi mënyrën e votimit. Kjo dështoi edhe 20 herë të tjera, dështimi i mënyrës së votimit, dhe ai nuk po lëviz, dhe kjo bëhet në mënyrë strategjike”, tha ai.