25 vite nga “tradhtia” e madhe, kalimi te Real Madridi. Luis Figo rrëfehet në 360 gradë

Luis Figo (Almada, Portugali, 52 vjeç) vazhdon të jetë shumë tërheqës për sponsorët. Portugezi është ambasadori i ri i “Betfair”: “Më pëlqen të punoj me kompani të mëdha, të punoj për markën dhe të fitoj njohje e prestigj në fushat e punës së sponsorëve të mi”.

Figo foli për “AS” gjatë pushimit nga xhirimi i një reklame. Pa dorashka, ai thotë se do ta blinte pa hezitim Nico Williams, objektivin kryesor të Barcelonës. Një ekip, ai katalanas, që ai e la 25 vite më parë, një verë ku u bë protagonist i merkatos me kalimin te Real Madridi. Portugezi nuk ngurron të pohojë se Kupa e Botës për Klube nuk ka ende peshën për të “shpëtuar” një sezon pa tituj të mëdhenj si La Liga apo Champions League.

Plotësohen 25 vite nga kalimi juaj te Real Madridi. Ju ishit protagonisti i asaj vere të vitit 2000. A ju duket larg tani? Çfarë kujtoni nga ato ditë?
ëse mendoj për kohën, po, është larg, kanë kaluar shumë vite. Sidoqoftë, kur e kujtoj, ka qenë një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në karrierën time profesionale. Ishin javë me shumë vëmendje, presion, ankth… Dhe në fund gjithçka përfundoi me kalimin tim te Real Madridi. Gjithmonë kam thënë që ishte një vendim i vështirë për atë që përfaqësoja, por njëkohësisht pati shumë vlerë dhe ndikim për të ardhmen time.

Ju ishit i pari nga “galaktikët”. A ndjeni që kalimi juaj ndryshoi epokën?
Me shumë mundësi po, për shkak të filozofisë së blerjeve që ndoqi më pas Real Madridi. Ajo epokë do të mbahet mend gjithmonë si një kohë unike.

Si e shihni Real Madridin në Botërorin e Klubeve? A e ul presionin fakti që konsiderohet favorit, apo është edhe më shumë presion për të fituar një trofe?
Është një kompeticion i ri, duhet të presim dhe të shohim si zhvillohet. Sërish, mbetet një trofe dhe të gjithë duan lavdi e prestigj. Nuk mendoj se është një shpëtim për sezonin. Sezoni në vetvete janë Champions dhe La Liga. Ato janë më të rëndësishmet. Nëse fiton, është logjike që je i lumtur për punën, por ky është një titull i ri dhe do të shohim rëndësinë që do marrë kur të luhet më shpesh.

A mund ta ndryshojë një trajner si Xabi Alonso ekipin e bardhë në kaq pak kohë?
Është një pyetje e vështirë, por mendoj se kemi të bëjmë më shumë me adaptim si trajner te Real Madridi, sepse ka pak kohë në dispozicion, është fundi i sezonit. Do të jetë e vështirë të vlerësohet puna dhe rezultatet në kaq pak kohë, është më shumë përshtatje.

Kanë ardhur Huijsen dhe Trent, ndërsa në verë vjen edhe Mastantuono. Kë do të blinit tjetër?
Varet nga buxheti që kam për transferime… (qesh)

Supozoni që keni buxhet të pakufizuar…
Ka shumë lojtarë që më pëlqejnë. Do ta blija Nico Williams, pa diskutim. Është një xhevahir. Dhe në fund, çmimi i tij (klauzola e ndarjes me Athletic është 58 milionë euro), krahasuar me çmimet e sotme, më duket i arsyeshëm për cilësinë që ka dhe moshën e re.

Figo: “Ficharía a Nico Williams; es una joya y una ganga”

A e shihni veten tek ai?
Jo, jemi lojtarë të ndryshëm. Është një lojtar që më pëlqen shumë për pozicionin e tij. Më pëlqejnë më shumë anësorët, aty ku kam luajtur unë. Nuk isha aq i shpejtë sa ai, do të doja të isha. Flas nga pikëpamja e merkatos, sepse për vlerë dhe çmim është një rast i artë.

25 vite më parë, ju e fituat “Topin e Artë”. Kujt do t’ia jepnit këtë herë? A mund të ndikojë ende Botërori i Klubeve?
Nuk besoj që Botërori i Klubeve ka ndikim. Janë disa lojtarë që për sezonin që kanë bërë e meritojnë trofeun. Mendimi im nuk ka rëndësi, ata që votojnë vendosin. Personalisht më pëlqejnë lojtarë si Lamine; Vitinha, i cili ka fituar gjithçka këtë sezon; Dembélé ka bërë shumë mirë gjithashtu… Varet nëse ‘Topi i Artë’ bazohet në performancën individuale apo në trofetë e fituar. Varet nga shija personale dhe çfarë vlerëson për një çmim kaq të rëndësishëm. Asgjë ndryshe nga çfarë flitet.

Pikërisht për Vitinha, bashkëkombësin tuaj… Ka fituar tripletën me PSG dhe Ligën e Kombeve. A mund të jetë surpriza? A është nënvlerësuar për ‘Topin e Artë’?
Është në listë. Ka mundësi për ta fituar, por siç thashë, varet nga kush voton dhe çfarë vlerësohet gjatë sezonit.

Po Mbappé? Nuk është mes favoritëve, por është përshtatur shpejt dhe e ka mbyllur si golashënuesi më i mirë i Real Madridit dhe fitues i “Këpucës së Artë” në La Liga. Si e patë sezonin e tij?
Në fillim nuk shkëlqeu, por më pas bëri mirë. Shënoi shumë gola dhe u përshtat me Real Madridin, që është klub krejt ndryshe nga të tjerët. Ajo që mund ta përjashtojë nga çmimet individuale është mungesa e titujve të mëdhenj kolektivë, por do të shohim. Është një emër që gjithmonë listohet mes më të mirëve në botë, pa dyshim.

Ju pamë në tribunë, në Mynih, bashkë me Pepe. Si ju duk finalja e Ligës së Kombeve, që Portugalia fitoi ndaj Spanjës? Si po e shihni këtë Portugali?
E shijova, por edhe vuajta… Spanja është një nga përfaqësueset më të mira në botë, po ashtu edhe Portugalia, ka shumë talent dhe cilësi. Secila mund të kishte fituar. Jam i lumtur për vendin tim, është normale. Mendoj se është një arritje e rëndësishme. Tani duhet të vazhdojmë dhe të përgatitemi për kualifikimin në Botëror.

Ju flisni për Vitinha, por në Portugali dalin gjithmonë talente të mëdhenj. Cili është sekreti?
Është një kombinim faktorësh: formimi i klubeve, konkurrenca në kampionate, puna që bëhet në përfaqësuese dhe përvoja që fitojnë jashtë vendit lojtarët që kanë atë mundësi. Të gjitha këto ndihmojnë që të dalin gjithmonë talente të mira. Edhe në gjeneratën time punohej shumë mirë.

The post 25 vite nga “tradhtia” e madhe, kalimi te Real Madridi. Luis Figo rrëfehet në 360 gradë appeared first on Telesport.