240 mijë euro për autobusë ‘eko’ të Kulturës

Ministria e Kulturës nuk e ka harruar as transportin. Pas miliona eurove të shpërndara në projekte të gjithfarshme, tash mijëra euro do të shkojnë edhe për autobusë e minibusë. Me një kontratë që arrin deri në 240 mijë euro, MKRS ka vendosur të sigurojë udhëtimet e veta brenda dhe jashtë Kosovës , shkruan Demokracia.com.

“Shërbime të transportit me autobus për nevojat e MKRS-së dhe institucioneve vartëse”. Kështu quhet tenderi i Ministrisë së Kulturës, me të cilin sot është lidhur kontrata me kompaninë Florim Talla B.I..

Vlera e parashikuar e kontratës është 240,000.00 euro, ndërsa kompania ka ofruar çmim 39.90 euro për njësi.

Tenderi është trevjeçar dhe do të ndërpritet në momentin kur të arrihet shuma prej 240 mijë eurosh.

Sipas dosjes së tenderit, qëllimi i kontratës është “evitimi i procedurave të vazhdueshme nga ana e institucioneve dhe departamenteve tjera, duke u mundësuar atyre që përmes një kontrate të përgjithshme të përmbushin nevojat për shërbime të transportit rrugor me autobus dhe minibus, brenda dhe jashtë Kosovës”.

Ministria ka shpërblyer me kontratë të njëjtin operator që, vetëm disa ditë më parë, kishte përfituar një kontratë edhe nga Komuna e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje. Aty, kontrata kishte vlerën prej 99,846.00 euro dhe kishte të bënte me organizimin e ekskursioneve të maturantëve të komunës në Shqipëri.

Lajm FANTASTIK: Maturantët e Alban Hysenit sivjet pinë Coca-Cola dhe lexojnë libra në hotel, vitin e kaluar kishin rrezik të pinin alkool e drogë

Ndërkohë që në tenderin e Komunës së Gjilanit kishin marrë pjesë dy kompani, në garën e MKRS-së ka qenë vetëm një ofertues. Një element i veçantë dhe i diskutueshëm është kriteri i vendosur nga Ministria në dosjen e tenderit, i cili kërkonte që operatori të posedonte dy certifikata ndërkombëtare: ISO 9001-2015 dhe ISO 14001-2015.

Ndryshe nga MKRS, Komuna e Gjilanit nuk e kishte vendosur këtë kriter në dosjen e tenderit.

Ky lloj kriteri, ndonëse i lejuar ligjërisht, konsiderohet mjaft kufizues në praktikë, pasi vetëm një numër i vogël kompanish në sektorin e transportit i posedojnë këto certifikata.

ISO 14001:2015 është standard ndërkombëtar për sistemet e menaxhimit mjedisor (Environmental Management System – EMS). Kjo certifikatë tregon se një kompani ka ngritur dhe zbaton politika, procedura dhe praktika për të reduktuar ndikimin negativ në mjedis, për të respektuar ligjet mjedisore dhe për të përmirësuar vazhdimisht performancën ekologjike. Në praktikë, ajo lidhet me çështje si përdorimi më efikas i karburantit, ulja e ndotjes së ajrit dhe zhurmës, menaxhimi i mbetjeve, si dhe respektimi i rregulloreve për mbrojtjen e mjedisit.

Në rastin e një tenderi për transport me autobusë, një kriter i tillë mund të interpretohet si përpjekje për të promovuar transport më të qëndrueshëm, por nga ana tjetër, ai edhe kufizon konkurrencën, pasi shumë kompani të transportit nuk i kanë këto certifikata. Ky fakt e bën procesin më të ngushtë dhe hap hapësirë për diskutime mbi konkurrencën reale në tenderët publikë. /Demokracia.com/