24 orët e fundit në Ga*zë, mbi 10 persona të vd*ekur nga uria, 34 të vr*arë

Qindra agjenci ndërkombëtare kërkojnë ndalimin e vrasjeve përmes urisë në Gazë, ndërsa akuzojnë Izraelin për bllokim të qëllimshëm të ndihmave humanitare. Ndërkohë, në terren sulmet ajrore vazhdojnë dhe dhjetëra mijëra civilë po evakuohen nga zonat e reja të konfliktit.

Mbi 100 organizata ndërkombëtare humanitare kanë firmosur një letër të përbashkët duke kërkuar nga Izraeli që të lejojë hyrjen e plotë të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, mes paralajmërimeve për urinë masive dhe krizës së thellë humanitare. Në 24 orët e fundit, të paktën 10 persona kanë vdekur nga uria, ndërsa 34 të tjerë janë vrarë gjatë përpjekjeve për të marrë ushqim, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Në terren, situata vazhdon të përkeqësohet. Një sulm ajror izraelit vrau të paktën 10 persona, përfshirë një foshnjë dhe dy fëmijë. Ndërkohë, ofensiva izraelite është zgjeruar në qytetin qendror të Deir al-Balah, duke detyruar dhjetëra mijëra civilë të largohen.

Organizatat humanitare deklarojnë se tonelata ndihmash ndodhen në kufi, të bllokuara nga kufizimet izraelite. Vetë Kombet e Bashkuara konfirmojnë se më shumë se 1,000 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite gjatë përpjekjeve për të marrë ushqim që nga fundi i majit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi se “uria po troket në çdo derë” dhe e quajti situatën në Gaza “një shfaqje horror”. Franca e re ofensivën e re izraelite në Gaza, duke theksuar se përkeqësimi i situatës humanitare dhe uria masive janë pasojë direkte e bllokadës dhe ndërhyrjeve ushtarake. Ajo i kërkoi Izraelit të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të lejojë akses të plotë për ndihmat dhe gazetarët.

Izraeli, ndërkohë, këmbëngul se po lejon ndihma të mjaftueshme dhe se veprimet e tij janë të fokusuara në shkatërrimin e kapaciteteve të Hamasit. Përpjekjet për arritjen e një armëpushimi rifillojnë këtë javë, ku i dërguari i posaçëm amerikan pritet të udhëtojë në Evropë dhe Katar për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje./rtk

The post 24 orët e fundit në Ga*zë, mbi 10 persona të vd*ekur nga uria, 34 të vr*arë appeared first on Kosovapost.net.