Pas akteve të dhunës në “Rrugën e Kombit” kundër vendosjes së taksës për automjetet, 23 protestuesit e arrestuar do të dalin sot para Gjykatës së Kukësit për t’u njohur me masën e sigurisë.
Gjykata do vlerësojë të ligjshëm ose jo urdhër-arrestet e prokurorisë për arrestimin e tyre.
Pjesa më e madhe e protestuesve, 13 prej tyre ndodhen në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër, 10 protestues në komisariatin e Policisë së Kukësit, shkruan gazeta Dita.
Mbi protestuesit rëndojnë katër akuza ajo e tubimit të paligjshëm, dhunë dhe kundërshtim ndaj policisë si dhe shkatërrim të pronës publike.
Të shtunën protestuesit u përplasën me policinë në “Rrugën e Kombit” duke hedhur në drejtim të tyre gurë dhe sende të tjera të forta si dhe shkatërruan sportelet e koncesionarit që do mbledhë taksën për automjetet që do kalojnë përgjatë kësaj rruge. Protestuesit kundërshtojnë taksën, ndërsa banorët e zonave të Kukësit i kanë kërkuar qeverisë të rishikojë vendimin dhe të vendosë një çmim më të lirë se 5 euro sa është aktualisht.