Seanca konstituive e Kuvendit nuk është përmbyllur as në vazhdimin e 23-të, që është mbajtur të enjten.
Ndërkohë që palët kanë mbajtur qëndrimet e vjetra, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në një intervistë për Deutsche Wellen, të publikuar të enjtën, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, tani nuk ka nevojë për partnerë.
“Tash Kuvendi është i 120 deputetëve dhe duhet të konstituohet nga 120 deputetë. Aty nuk ka nevojë për partnerë. Secili e ka pjesën e vet të përgjegjësisë”, ka theksuar ai.
Bislimi ka thënë se “Kosova nuk ka krizë qeveritare në Kosovë por ka pengesa në zgjedhjen e kryesuesve të Kuvendit”.
Në vazhdimin e seancës konstituive, të enjten, për të 15-n herë, kryesuesi, deputeti i LVV-së Avni Dehari, propozoi të formohet Komisioni për ta zhvilluar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Por, ngjashëm si deri më tash, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe nuk propozuan anëtarë për komision dhe as nuk morën pjesë në votim për anëtarët e propozuar nga subjektet e tjera.
Përfaqësues të partive që në mandatin e shkuar ishin në opozitë, e akuzuan Vetëvendosjen se, si parti e parë, nuk është e interesuar ta nxjerrë Kosovën nga kriza politike.
E, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili ka shprehur gatishmëri të bashkëpunojë me cilindo tabor që e siguron shumicën, ka thënë se konstituimi mund të bëhet vetëm me marrëveshje politike.
Për çështjen e bllokadës së krijuar në konstituimin e Kuvendit, AAK-ja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila nga mesi i majit e ka në trajtim kërkesën.