22 të arrestuar në protestën e PD-së në Tiranë, Berisha thotë se nuk do të ndalet

22 protestues janë arrestuar pas tensioneve dhe incidenteve në protestën e opozitës. Mësohet se protestuesit janë kapur me bomba molotova para Kryeministrisë.

Policia ka sekuestruar dy çanta me molotov, lëndë plasëse, dhe lënde të tjera plasëse. Pas fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, protestuesit nisën të hidhnin molotov dhe fishekzjarre në drejtim të Kryeministrisë.

Policia reagoi menjëherë duke kryer disa shoqërime që në minutat e para të tensioneve. Tensionet më pas u zhvendosën para Parlamentit. Policia nuk lejoi protestuesit të afrohen pranë Parlamentit. Kjo solli tensione mes tyre dhe përplasje por protestuesit nuk arritën të çanin kordonin e efektivëve.

Ndërkaq, kreu i PD-së, Sali Berisha ka folur për mediat pas perfundimit të protestës së 7-të kombëtare të opozitës. Pas shpërndarjes së protestuesve para Parlamentit, Berisha paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen. Ai nuk bëri të ditur se kur do të jetë protesta e radhës por theksoi se do të njoftohet së shpejti.

“Shumë shpejt do të caktohet. Nuk tërhiqemi. Kryengritja jonë paqësore nuk tërhiqet. Të gjitha format e protestave do të përdoren. Kjo kryengritje paqësore ka mision përmbysjen e narkoregjimit.

Ky është një mision i PD, por edhe i forcave të tjerë opozitare dhe grupeve të tjera të interesit dhe do bëjmë gjithçka të bashkohemi në një front të përbashkët. E shtata apo e teta me radhe e panjohur më parë në Shqipëri, ka mbështetje shqiptare dhe botërore.

Nuk ka asnjë lidhje, kanë lidhje me regjimin, asnjë lidhje me proceset e brendshme të partisë. Ju jen dëshmitarë se deklarova se PD do hidhet në një veprimtari shumëplanëshe. Jemi në analiza dhe zgjedhje por kjo nuk na pengon ta mbajmë kryengritjen paqësore. E tmerruat sot regjimin, kriminelë. Protesta tjetër më e fuqishme do jetë.”, tha ai.