Zylyf Isufi është mjeku i parë dhe i vetmi në Shqipëri që ka sfiduar thellësitë e detit. Ai është specialist i vetëm i fiziologjisë së marinës në vend. Ai është kthyer pas në kohë teksa kujton se gjatë karrierës së tij ka lundruar 22 ditë me nëndetëse në 50 metra thellësi.
“Në 1969 u bëra mjek fiziolog i Brigadës së Nëndetëseve, me gradën përkatëse. Shkuam grupi për specializim në Kinë, nga Pekini në Shangai, për të mësuar praktikat më të avancuara për shëndetin e ekuipazheve nën ujë.
Në vitin 1971 nisëm punën në Pashaliman, ku punova deri në fund të viteve 1980 si mjek fiziolog dhe mjek shëndetësie i bazës. Ishte përgjegjësia ime që, para çdo lundrimi, të zgjidhja efektivin, të ndaheshin zhytjet lehtë dhe të rënda, dhe të siguroja që ekuipazhet të punonin në kushte optimale”, u shpreh ai.
Mjeku u shpreh se në Vaun e Dejës pastroheshin tunelët dhe se ai isha i vetmi që merrej me këtë.
“Shumë herë shkonim pa ditur saktësisht çfarë do të ndodhte, por unë identifikoja parametrat funksionalë të çdo personi: sa mund të durojnë mjedisin, sa duhet të qëndrojnë poshtë dhe kur duhet të dalin jashtë. Sa orë duhet të rrinin në ujë? Një, dy, tre – varet nga thellësia.
Gjatë karrierës sime kam lundruar 22 ditë me nëndetëse, në 50 metra thellësi, ku temperatura ishte jashtëzakonisht e lartë, lagështia mbi 45%, dhe ajri i kufizuar përmbante gazra të dëmshëm. Shkuam nga Adriatiku deri në Santa Maria, Itali.
Ishte punë e vështirë: rrinim në 45–47 gradë me kanatiere. Për 22 ditë nuk dolëm fare në sipërfaqe; stomaku im nuk funksiononte, humba nga 3 deri në 5 kg dhe fytyra u zbardh nga efektet e gazrave të nëndetëses”, shtoi ai.
Isufi shtoi se nuk ka mjek tjetër si i të specializuar për fiziologjinë dhe mjekësinë e marinës.
“Jam i vetmi. Ka të rinj që duhet të bëhen si unë? Jo, sepse nuk mësohet në fakultet, nuk njihet si specializim. Ky ishte shansi im: të punoja gjithë jetën për të dhënë njohuri dhe për të siguruar që ekuipazhet të jenë të mbrojtur.
Marina shqiptare ka vetëm 4–6 anije, por unë njihja gjendjen shëndetësore të çdo efektivi. Gjatë karrierës kemi pasur tre aksidente në marinë; në 1961, në Brigadën e Nëndetëseve, humbën jetën dy persona në Durrës sepse nuk e dinin që i kishte mbaruar ajri. Kjo më dha mundësinë të vendos standarde që shpëtuan jetë të tjera”, shtoi ai. /Euronews albania.










