Një prej autorëve, që dyshohet se mbajtën mbyllur me forcë një 21-vjeçare në një apartament në Astir, është vënë në pranga.
Sipas policisë, 36-vjeçari Ermal Binjaku ka precedent të mëparshëm penal.
Ngjarja që ndodhi në 9 janar në Astir, mbetet e veshur me mister. Fillimisht, e reja telefonoi policinë, duke kërkuar ndihmë, ndërsa në një deklaratë më pas në Komisariat, u shpreh se kishte shkuar me dëshirë në banesë, për të festuar me miqtë.
21-vjeçarja u shpreh se u ndje e frikësuar në momentin që pa se një prej djemve kishte armë me vete. Vajza ka treguar më tej se me Joni Sadikaj ishte njohur vetëm një ditë më parë në një lokal të zonës dhe ai i kishte kërkuar që të merrte disa shoqe të sajat për të kaluar natën bashkë, pasi kishte edhe disa shokë me vete. E reja ka dëshmuar se kanë qëndruar në banesën e marrë me qira ditore gjatë gjithë natës duke konsumuar kokainë.