21 vendvotime ende pa epilog, KQZ s’ka përditësuar rezultatet që prej orës 19:10

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka përditësuar rezultatet e zgjedhjeve që nga ora 19:10, kur janë publikuar ato pas numërimit të 99.17 përqind të votave. Për të përfunduar i gjithë numërimi i votave të rregullta kanë mbetur edhe 21 vendvotime.

Sipas rezultateve të fundit të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 40.83 përqind apo 339 mijë e 350 vota, PDK e dyta me 22.15 përqind apo 184 mijë e 87 vota, LDK e treta me 17.59 përqind apo 146 mijë e 241 vota dhe AAK e katërta me 7.47 përqind apo 62 mijë e 66 vota.

Këto rezultate janë preliminare dhe nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Bazuar në këto rezultate, VV pritet t’i ketë 47 deputetë, PDK 25 deputetë, LDK 20 deputetë dhe AAK 8 deputetë.

Votat e kandidatëve do të fillojnë të numërohen nesër, kur edhe do të bëhet verifikimi i rezultateve të partive.

“Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ do shpall rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”, kanë sqaruar nga KQZ.