Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit S.J, shkruan Gazeta Express.
Kërkesa është paraqitur mbi bazën e dyshimit se S.J., ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas kërkesës dyshohet se S.J., kishte për qëllim që të transportonte substanca narkotike në një shtet tjetër.
Gjatë kontrollit të kamionit, të cilin po e drejtonte i dyshuari, është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 268.44 kilogramë substancë narkoktike e dyshuar marihuanë, e cila dyshohet se është transportuar nga Republika e Shqipërisë, me destinacion shtetet e Bashkimit Evropian.
Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e sigurisë prej një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit, duke vlerësuar se ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset, dhe të pengojë rrjedhën e procedurës hetimore penale.










