Sot bëhen 20 vjet nga Masakra e Vushtrrisë ku brenda pak orësh në këtë qytet jeta e dhjetëra personave u ndërpre nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe.
Më 22 maj të vitit 1999 në qytetin e Vushtrrisë u vranë në mënyrën më çnjerëzore 77 persona, derisa një person tjetër ende është në listat e të zhdukurve.
Të njëjtën ditë u plagosën shumë persona, e po ashtu nga forcat serbe u arrestuan edhe qindra persona, qytetarë të Vushtrrisë.
Personat e vrarë dhe të masakruar nga forcat serbe u dërguan në varrezë masive në poligonet ushtarake Beograd, për t’u zbuluar disa vite më vonë
Për të kujtuar këtë ngjarje, Komuna e Vushtrrisë ka organizuar akademi përkujtimore kushtuar martirëve të rënë para 20-vitesh.
Akademia do të mbahet në gjimnazin “Eqrem Çabej” në ora 11:00, ndërsa paraprakisht do të bëhen homazhe te memoriali dhe varrezat e martirëve.
Po ashtu, në ora 12:15 homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Stanoc të Epërm për të përkujtuar dëshmorin Blerim Zuçaku, i cili ishte vrarë po këtë ditë në Vushtrri.
Me këtë rast, në ora 13:00 mbahet akademi përkujtimore në vendin e rënies së dëshmorit Blerim Zuçaku.