20 shkurt 1986, Krishtlindja e milanistëve… Kështu Berlusconi krijoi Milanin e të pamposhturve

40 vite janë një përjetësi, por mbi atë vendim dhe mbi atë projekt vizionar, Milani jeton në thelb edhe sot. Projekti ishte i Silvio Berlusconit, i cili më 20 shkurt 1986 e shpëtoi “Djallin” nga falimentimi dhe e bleu me synimin, të shpallur menjëherë, për ta çuar në majën e botës. Një mision që atëherë dukej i pamundur, por u realizua.

“Duke u kthyer nga Saint Moritz, pas pushimeve të Krishtlindjeve, – tregon Fedele Confalonieri për “Corriere dello Sport”, – Silvio na telefonoi gjatë fluturimit dhe njoftoi: ‘Kam vendosur ta marr Milanin, të përgatitemi’. I vetmi që shprehu dyshime ishte Adriano Galliani, që e dinte mirë se do të ishte një marrëveshje me humbje, por Silvio iu përgjigj: ‘Nuk është një biznes si gjithë të tjerët, ky është një biznes zemre’.

20 shkurti ishte një ditë e ngarkuar. Nisëm herët në mëngjes duke shkuar në zyrat e kontabilistit të asaj kohe, doktor Locatelli, që ndër të tjera ishte interist, për të firmosur kalimin e aksioneve nga Milani i Farina te ‘Fininvest’ dhe më pas fluturuam drejt Parisit për prezantimin e ‘La Cinq’”.

Silvio Berlusconi

“Data 20 shkurt 1986 mund të konsiderohet Krishtlindja e tifozëve milanistë, – rrëfen Paolo Berlusconi, – e ndjekur nga një Epifani e gjatë, plot suksese në gjithë Europën dhe botën. Bilanci është i jashtëzakonshëm: 5 Kupa Kampionesh, shumë tituj të Serie A. E kaluara e Milanit është unike dhe e paarritshme. Çfarë kujtoj nga ajo ditë? Kundërshtimin tim ndaj projektit. Për herë të parë po përpiqeshim të blinim një shoqëri pa lexuar bilancin…”

Se bëhej vërtet fjalë për një akt dashurie e thotë edhe Galliani për ‘Corriere della Sera’: “E bleu pa ditur sa borxhe kishte shoqëria. Nga ana tjetër, nëse Milani do të falimentonte, do të humbiste titullin sportiv. A ndryshoi edhe jeta ime? Absolutisht po. Unë mendoj për Silvio Berlusconin çdo mëngjes kur zgjohem.

Pa të, edhe me të njëjtët drejtues, trajnerë dhe kampionë, Milani nuk do të kishte fituar kurrë 29 trofe në 31 vite. Kam qenë me fat që kam qenë në krah të tij, ishte një motivues i jashtëzakonshëm. Hyja në Arcore duke ecur, dilja duke fluturuar, gati për të vendosur antena në Everest, jo në Montevecchia. Nëse do ta krahasoja Berlusconin me një futbollist, do të ishte Pelé”.

Silvio Berlusconi: passione Milan e trent'anni di successi - L'Identità

Mes kujtimeve nuk mund të mungonte ai i Franco Baresi, kapitenit të atij Milani: “Në Milanello ishim të gjithë të shqetësuar dhe kureshtarë për të kuptuar si do të përfundonte ajo marrëveshje, bënim tifo të dëshpëruar për të. Me Farina ishim në fund të një tuneli, kështu ishim. Në atë kohë, kur skuadra ishte në udhëtim për ndeshjet jashtë fushe, portat e Milanellos hapeshin për të pritur festa dasmash apo kungimesh të para, për të mbledhur ndonjë lirë më shumë.

Disa muaj pas ardhjes së tij na mblodhi në kështjellën e Pomerios dhe na dha ‘misionin’ e famshëm: të bëheshim skuadra më e fortë në botë. Fillimisht ai objektiv u prit me skepticizëm të madh, por një vit më pas e kishim tashmë titullin në gjoks.

Dita simbol e asaj rruge? Do ta nisja nga Kupa e parë e Kampioneve e ngritur në qiellin e Barcelonës, për të kaluar më pas, brenda pak muajsh, te finalja Interkontinentale e Tokios. U ngjitëm në majën e botës dhe arritëm t’i jepnim kuptim konkret fjalimit të famshëm të Pomerios. Marrëdhënia jonë ka qenë përfshirëse, e pasuruar çdo ditë në planin njerëzor me respekt dhe dashuri”.

The post 20 shkurt 1986, Krishtlindja e milanistëve… Kështu Berlusconi krijoi Milanin e të pamposhturve appeared first on Telesport.