Punësimi është rritur 20%, papunësia ka rënë në 4%. Kështu thotë Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërsa këto shifra duken pozitive, Qeveria nuk i fut në llogari 677 mijë e 571 njerër (57.7%), që sipas ASK-së, nuk janë as të punësuar, as të regjistruar si të papunë, as nuk kërkojnë punë.
Kryeministri Albin Kurti thotë se Kosova është zhvilluar e pasuruar dhe se qytetarët tash jetojnë më mirë sesa në kohën para se ai të qeveriste me vendin.
Ai e përmendte rritjen e buxhetit të këtij viti dhe të hyrat si suksese të Qeverisë, ndërsa së fundmi, kur mandati qeverisës po shkon drejt fundit, pushtetarët kanë nisur të flasin për rritje të madhe të punësimit në vend.
“Krahasuar me vitin 2021, tash që po flasim më 2024, bruto produkti vendor është për 1/3 më i lartë, ndërkaq buxheti shtetëror vjetor është për 35% më i lartë. Sigurisht që kjo është përkthyer edhe në punësim të shtuar. Krahasuar me para tri viteve, punësimi në Kosovë është rritur me 20%, përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar e padyshim që kjo ka ndikuar edhe në rritjen e fitimit dhe zgjerimin e aktivitetit të sektorit privat”, deklaroi Kurti më 29 gusht.
Lëvizja Vetëvendosje të martën citoi një sondazh të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). “Kosova me nivelin më të ulët të papunësisë”, shkori partia e Kurtit. “Mesatarja rajonale e papunësisë është 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezulton në Kosovë 4%…”.
65% prej një mijë personave të anketuar në Kosovë thanë se janë të punësuar me pagë kur u pyetën në njërën prej pyetjeve të sondazhit: “Cili është statusi juaj aktual i punësimit?”.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), që është prodhuesja e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës dhe përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave, nuk i ka këto shifra. Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, në tremujorin e katërt të vitit 2023 papunësia në vend ishte 10.7%.
ASK-ja tha vitin e kaluar se brenda dhjetë vjetësh, papunësia në Kosovë ka shënuar rënie për mbi 17%. Nga 30% sa kishte qenë në vitin 2013, kishte rënë në 12.6%.
Ndërsa këto shifra duken pozitive, disa të tjera s’përmenden.
677 mijë e 571 njerëz (57%) janë të pallogaritshëm në shifrat që Qeveria i promovon. Këta persona, sipas të dhënave të ASK-së, nuk janë as të punësuar, as të regjistruar si të papunë, as nuk kërkojnë punë.
Kjo përqindje përfaqëson pjesën e popullsisë që ASK-ja e quan “ekonomikisht jo aktive”, që përfshin grupmosha prej 15 deri në 64 vjeç.
Prej këtyre personave të pallogaritshëm në shifrat e Qeverisë për (pa)punësimin, 440 mijë e 448 janë gra dhe 237 mijë e 123 burra.
“Këto janë shifra me bë hajgare me popullatë”, tha mbrëmë në Pressing anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, duke folur për pretendimin e LVV-së për “papunësinë 4%”.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se “ASK-ja thotë që papunësia në Kosovë është 11% pas një ndryshimi në metodologji”. “Ishte diku 20-21%, bënë një ndryshim atje në metodologji dhe iu doli 11%”, tha ai në Pressing në T7.
Ai tha se “ke vetëm 12% deri në 15% të grave që janë aktive, pra që kërkojnë punë në tregun e punës”.
Megjithëse Qeveria po flet për punësim të madh, punëdhënësit raportojnë gjithnjë e më shumë vështirësi për të gjetur punëtorë. Këtë problem e kanë deklaruar më së shumti bizneset në sektorin e bujqësisë, gastronomisë, ndërtimtarisë dhe tekstilit.
Mijëra vende të lira pune gjenden edhe në platformat online, nëpërmjet të cilave bizneset kërkojnë punëtorë.
Njohësit e ekonomisë e përmendin emigrimin e njerëzve si faktor kyç që ka ndikuar në rënien e papunësisë sipas shifrave, por edhe formalizimin e punësimit, me bizneset që po i regjistrojnë punëtorët në institucionet përkatëse.
Këtë të dytën e përmend edhe Banka Botërore. “Formalizimi i tregut të punës vazhdoi, i reflektuar në një rritje vjetore prej 2.9% të punësimit formal deri në nëntor 2023”, thuhet në një përditësimi i fundit të BB, më 19 Prill 2024.
Shifrat që i paraqet si të mira, Qeveria ia atribuon rritjes ekonomike që thotë se ka ndodhur këto vjet.
Trendi i emigrimit të kosovarëve është në rritje edhe sipas shifrave zyrtare, ndërsa të dhënat e Agjencisë së Punësimit të Kosovës flasin për rënie të numrit të punëkërkuesve, transmeton gazetaexpress.
Shtetasit nga Kosova dhe Shqipëria kryesojnë me një diferencë të dukshme krahasuar me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit për nga numri i kërkesave azil për në Bashkimin Europian, në gjysmën e parë të këtij viti, sipas një raporti të fundit të Agjencisë Europiane për Azilin (EUAA).
Raporti thotë se 3,375 kosovarë paraqitën kërkesa për azil u paraqitën për herë të parë në një vend të Bashkimit Europian nga janari deri në qershor të këtij viti.