2 milionë euro kostoja e një legjislature që s’e kreu asnjë punë

Rreth 2 milionë euro është kostoja e shpenzimeve për 120 deputetët, të cilët, prejse e kanë marrë mandatin, nuk e kanë kryer asnjë punë, përpos konstituimit të legjislaturës së nëntë. Gjatë periudhës së muajve prill-tetor, rreth 1.4 milionë euro kanë shkuar në paga dhe mëditje të deputetëve, e 571 mijë euro për stafin mbështetës të tyre.

Pa e kryer kurrfarë pune që nga 15 prilli e deri më sot, Kuvendi ka shpenzuar afër 2 milionë euro vetëm në paga të deputetëve dhe të asistentëve të tyre.

Sipas të dhënave të siguruara nga Kuvendi, vetëm në periudhën midis muajve prill e tetor, për pagat e ligjvënësve janë paguar 1 milion e 371 mijë euro.

Krahas tyre, janë paguar edhe 571 mijë euro të tjera për paga të zyrtarëve të lartë personalë të deputetëve, të cilët i kanë angazhuar që t’u asistojnë në punë, ani se nuk bënë gjë.

“Shuma e përgjithshme e pagave për deputetët për periudhën prill-tetor 2025 është 1.371,017.46 euro. Shuma e përgjithshme e pagave për stafin mbështetës politik për periudhën prill – tetor 2025 është 571,130.78 euro”, kanë bërë të ditur në Kuvend.

Me gjithë këto shpenzime, legjislatura e nëntë pritet që ta përfundojë mandatin pa e lënë ndonjë gjurmë, po qe se më së largu deri më 5 nëntor nuk formohet Qeveria e re.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se shpenzimet më të paarsyeshme që kanë qenë ndonjëherë në Kosovë, janë pikërisht pagat e deputetëve të kësaj legjislature.

“Dhe unë besoj që në një të ardhme të afërt do të duhej që të qartësohej kjo gjë më mirë, sepse deputetët përveçse kanë marrë paga gjatë muajve të fundit pa bërë asnjë punë, shumica e të cilave kanë qenë seanca dy treminutëshe”, ka thënë ai për KTV-në.

Për këta muaj mungese efikasiteti, deputetët kanë bërë shpenzime mijëra euroshe edhe për mbushje telefoni. Vetëm gjatë muajve maj-qershor të këtij viti, mbushjet e telefonit për një pjesë të deputetëve i kanë kushtuar kuletës së shtetit gati 4 mijë euro. Nga të dhënat e siguruara nga Kuvendi për këtë periudhë figuron se 1.860 euro janë shpenzuar në maj për 62 deputetë, derisa 2.130 euro për 71 deputetë gjatë muajit qershor. Secili prej këtyre deputetëve gjatë këtyre dy muajve ka marrë mbushje telefoni nga 30 euro në muaj.

Në listën e deputetëve që kanë marrë mbushje figurojnë ligjvënës të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të Partisë Demokratike (PDK), ata të Lidhjes Demokratike (LDK), të Listës Serbe, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës e komuniteteve joserbe. /Koha.net/