60 organizata të shoqërisë civile dhe organizata përfaqësuese të mbi 150 mediave në Kosovë, kanë reaguar sot, më 19.09.2025, pas njoftimeve se Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar një dënim skajshmërisht të ulët për ngacmimet ndaj gazetares së KALLXO.com, të kryera nga publikues dhe ndjekës të grupit famëkeq “AlbKings”.
Më 18.09.2025, Prokuroria e Prishtinës ka paraqitur në gjykatë marrëveshjen me të pandehurit, të cilët planifikohet të dënohen vetëm 2 mijë deri në 2 mijë e 500 euro gjobë për shqetësimin e vazhdueshëm të gazetares. Tre të pandehurit ishin arrestuar nga Policia në operacione speciale.
Në reagimin e tyre, aktivistët e shoqërisë civile i kanë kërkuar Gjykatës së Prishtinës të hedhë poshtë këtë marrëveshje, duke kërkuar ndëshkim meritor për kryerësit e kësaj vepre.
Reagimi i plotë:
E nderuar Kryetare znj. Albina Shabani Rama,
I nderuar gjyqtar Fisnik Gashi,
Ne, organizatat e poshtëshënuara, me shumë shqetësim kemi pranuar njoftimin nga gazetarja e Kallxo.com, viktimë e grupit famëkeq “AlbKings” në rrjetin “Telegram” për planet lidhur me dënimet skajshëm të ulëta ndaj tre ngacmuesve të grave gazetare.
Nga ky njoftim kemi kuptuar se një grup prej tre ngacmuesish të gazetares dhe shumë vajzave të tjera, potencialisht viktima të grupeve pornografike në rrjetin “Telegram”, siç ishte grupi “AlbKings”, parashihet të dënohen vetëm me nga 2,500 euro gjobë, bazuar në një marrëveshje të paprecedentë të lidhur ndërmjet ngacmuesve dhe Prokurorisë së Prishtinës, e përfaqësuar nga prokurorja Elza Bajrami.
Marrëveshja është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Zejnullah Gashi.
Për këtë marrëveshje viktima as nuk është informuar e as nuk është pyetur për anën e saj.
Është shumë e qartë se për këtë vepër ligji parashikon dënim deri në 3 vite burgim, mirëpo Prokuroria ka pranuar një dënim skajshëm minimal, i cili nuk përmbush asnjë standard ligjor dhe etik për situatën.
Në këtë rast, Prokuroria ka trajtuar ngacmimin ndaj një gazetareje si një çështje të zakonshme dhe pa pasoja për të mirën publike.
Dënime të tilla ndaj ngacmuesve të grave gazetare dhe ndjekësve të platformave pornografike, të cilat tashmë kanë shkaktuar qindra viktima tek vajzat dhe gratë e Kosovës, edhe një herë dëshmojnë mendësinë patriarkale të sistemit dhe vullnetin e prokurorëve për të mbyllur sytë para dhunës ndaj grave.
Me shumë shqetësim jemi njoftuar se Gjykata e Prishtinës ka vendosur që më 18.09.2025 të pranojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë me kushtet e dënimit me gjobë për një grup që ngacmon gratë gazetare.
Për më tepër, është tejet shqetësuese që vendimi i Gjykatës vjen në një situatë kur gazetarja dhe mbrojtja e saj kanë kërkuar që rasti të trajtohet në një gjykim të hapur, ku do të paraqiteshin prova që do të dëshmonin se kryesit kishin qëllime të organizuara për frikësimin e grave që janë pjesë e jetës publike.
Për ne si aktivistë është e papranueshme një qasje e tillë, ku në procese ku viktima janë gratë – e në këtë rast gratë gazetare – propozimet e tyre për procese të drejta gjyqësore hidhen poshtë përmes marrëveshjeve të tilla.
Duke ditur procedurat ligjore, ne, organizatat e poshtëshënuara, i bëjmë thirrje gjykatësit të rastit, Fisnik Gashi, që të mos lejojë që para syve të tij të kalojë një ujdi e tillë, e cila i amniston ngacmuesit dhe i riviktimizon vajzat dhe gratë gazetare.
Dënimi me vetëm 2 mijë e 500 euro për ngacmuesit e gazetareve, të cilët përdorin mënyrën më perfide të sulmit kibernetik online, është i papranueshëm dhe nuk i shërben mbrojtjes së grave gazetare dhe aktiviste, të cilat çdo ditë e më shumë janë pre e ngacmimeve të tilla.
Duke qenë të vetëdijshëm se ky proces tashmë ka marrë një rrugë të vështirë ligjore, kemi shpresën e fundit që gjykatësi i çështjes, në orët e fundit, të rivlerësojë lartësinë e dënimit duke shqiptuar një dënim meritor për situata të tilla.
Mbetemi me shpresë që në shpalljen e aktgjykimit, e cila është paraparë për ditën e hënë, më 22.09.2025, ngacmimet e orkestruara ndaj grave gazetare dhe aktiviste të marrin një dënim të merituar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Me respekt,
Organizatat e poshtëshënuara:
- Asociacioni i Gazetareve te Kosoves, AGK
- Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, AMPEK (asociacion i 93 mediave elektronike)
- Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, KMShK (mekanizëm vetërregullues i mediave online me 49 anëtarë)
- Rrjeti i Grave të Kosovës (rrjet i 102 OJQ-ve anëtare)
- Activism Roots
- Advocacy Center for Democratic Culture – ACDC
- Advocacy Training and Resource Center, ATRC
- ANIBAR
- Art and Community Center – ARTPOLIS
- Balkan Green Foundation, BGF
- Rrrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN
- CEL Kosova
- Civil Rights Program Kosovo – CRP/K
- Community Building Mitrovica, CBM
- Community Development Fund, CDF
- Dajana Berisha, Forumi për Iniciativa Qytetare, FIQ
- Democracy for Development, D4D
- Demokraci Plus, D+
- Durmish Asllano
- Ec ma ndryshe
- Fondacioni Kosovar i Shoqërisë Civile, KCSF
- Fondi për të Drejtën Humanitare, HLC
- Fourth ëave
- GERMIN
- HANDIKOS Istog
- HANDIKOS, Drenas
- Instituti Demokratik i Kosovës, KDI
- Instituti i Kosovës për Qeverisje Lokale
- Instituti QIKA
- Instituti Riinvest
- Interneës Kosova
- KMDLNj
- Kolektivi Hyjneshat
- Kosovo Advocacy and Development Centre – KADC
- Kosovo ëomen for ëomen
- Lëvizja FOL
- NGO AKTIV
- OJQ AVOKO
- OJQ COHU
- OJQ Dylberizm
- OJQ Gjethi
- OJQ ISDY
- OJQ Mundesia
- OJQ Pishtaret
- OJQ Romtegra
- OJQ YES
- OJQ ZANA
- Open Data Kosovo
- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA
- Qendra Kosovare për Studime Gjinore, QKSGj
- Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, QKSS
- Qendra per Zhillimin e Grupeve Shoqerore – CSGD
- Romano Avazo
- Rrjeti Avonet
- Rrjeti i Grave Gazetare te Kosoves
- Rrjeti Qeliza
- Sekhmet Institue
- SH-L Kosova
- Syri i Vizionit
- Women in Tech Kosova