Një burrë që kishte humbur prej 18 ditësh në një pyll australian është gjetur i gjallë pasi mbijetoi duke ngrënë kërpudha dhe duke pirë ujë lumenjsh, raporton CNN.
Robert Weber u pa për herë të fundit me qenin e tij duke u larguar nga hoteli Kilkivan në Queensland, më 6 janar.
Pasi humbi kontaktet me familjen, ai u shpall i zhdukur dhe autoritetet nisën kërkimet. Pas afro tre javësh, 58-vjeçari u gjet pranë një dige.
“Unë u përpoqa të shmangia trafikun duke u ngjitur në mal dhe duke zbritur nga ana tjetër, por ishte një vendim i gabuar të cilin e pagova me 18 ditë,” tha ai.
Policia tha se makina e tij u bllokua në një rrugë të cilën ai nuk e njihte dhe qëndroi në makinën e tij bashkë me qenin për tre ditë, para se të mbaronte uji.
“Ai u largua në këmbë dhe humbi rrugën , duke mbetur në një digë ku mbijetoi duke ngrënë kërpudha, duke pirë ujë lumenjsh dhe duke fjetur në tokë,” tha policia në një deklaratë.
“Unë nuk kisha strehë dhe trupi im nuk mund ta përballonte. Kjo ishte pjesa e mjerueshme e këtyre ditëve,” tha Weber.
Autoritetet thanë se Weber u dërgua në spital pasi vuajti nga ekspozimi i tepërt në diell, por është i sigurt dhe në gjendje të mirë.
Qeni i tij nuk është gjetur akoma.