Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot po qëndron në Prizren, me rastin e 145 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në manifestimin qendror për nder të këtij përvjetori, Begaj tha se kjo lidhje projektoi krijimin e një shteti shqiptar të lirë dhe të pavarur.
“Historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me momente të cilat na mbushin me krenari, për atë çka ne shqiptarët jemi dhe vlerat që ne përfaqësojmë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionar u bashkuan për të krijuar një qendresë mbarëshqiptare, kundër shtypjes dhe sundimit”.
“Ishte kjo Lidhje që punoi me të gjitha forcat për ta afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje që projektoi krijimin e një shteti shqiptar të lirë dhe të pavarur”, u shpreh ai.
Tutje, Begaj u shpreh se kemi përgjegjësi për të respektuar dhe për të mbrojtur trashëgiminë, përcjell Klankosova.tv.
“Sot teksa mushen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që ëndërruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar. Por, ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë, ne kemi përgjegjësinë për të respektuar dhe për të mbrojtur trashëgiminë, që këto figura historike na lanë neve si trashëgim”, u shpreh tutje ai.