Kjo e martë ka shënuar një rekord të ri të rasteve të reja të infektuar me COVID-19. 140 është numri i personave që janë konfirmuar pozitiv me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit, shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë, teksa fatkeqësisht 5 persona të tjerë kanë humbur jetën, duke e çuar në total numrin e viktimave në 205. Viktimat janë nga Tirana, Durrësi dhe Gjirokastra, ku ky i fundit është një 46-vjeçar pa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.
“Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 46 vjeçar nga Gjirokastra pa sëmundje të tjera, një 48 vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera, një 70 vjeçar nga Durrësi me sëmundje bashkëshoqëruese, një 81 vjeçar dhe një 84 vjeçar, të dy nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese”, njofton ministria.
Një lajm i mirë është numri i të shëruarve. 101 kanë fituar betejën me këtë virus, një bilanc pozitiv krahasuar me një ditë më parë, por edhe me shifrat e javëve të fundit. “Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 101 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3480, që nga fillimi i epidemisë”, njofton Ministria, teksa situata vijon të jetë e rënduar në dy spitale COVID në vendin tonë.
“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 18 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar. Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse”, sqaron ministria.
Nisur nga fakti se pavarësisht numri të lartë të të prekurve, qytetarët duket se nuk “i frikësohen” virusit, ministria e Shëndetësisë u drejtohet me një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, por të japin kontributin e tyre në këtë luftë kundër virusit duke respektuar masat e vendosura. Të ruajnë distancimin fizik, të vendosin maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, të kujdesen për higjienën personale.Bizneset duhet të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, përfundon ministria në bilancin ditor.