130 gra abortuan me vetëdëshirë në vitin 2024 në Kosovë (VIDEO)

Në nëntë muajt e vitit 2024 u bënë 130 aborte.

Të gjitha këto me vetëdëshirën e nënave, të realizuara në klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pak më pak aborte se në vitin 2024 u bënë gjatë vitit 2023. Pra përgjatë asaj periudhe u bënë 109 ndërprerje të shtatzënisë.

Kështu pati bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj gjatë vitit të kaluar.

Sipas nenit 6 mbi Ligjin për Ndërprerje të Shtatzënisë, ky proces mund të bëhet deri në fund të javës së dhjetë të shtatzënësisë dhe nëse ky veprim bëhet pas javës së 10-të, atëherë është në kundërshtim me Ligjin e Shëndetësisë.

Ndërkaq, neni 15 pika 1 e po të njëjtit ligj thotë se ndërprerja e shtatzënësisë për arsye mjekësore në rastet ku konstatohet se vazhdimi i shtatzënësisë, ose lindja e fëmijës rrezikon jetën ose shëndetin e femrës mund të bëhet në çdo periudhë të shtatzënësisë.

Ky proces bëhet me vendimin e Komisionit mjekësor dhe pëlqimin e femrës shtatzëne përderisa ajo është e vetëdijshme.

Ndërsa, aborti me motiv të përzgjedhjes se gjinisë së frytit është e ndaluar me ligj.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, afërsisht 73 milionë aborte të induktuara ndodhin në mbarë botën çdo vit, me 61% të të gjitha shtatzënive të padëshiruara dhe 29% të të gjitha shtatzënive në përgjithësi përfundojnë me një abort.

Vendi që ka më së shumti abort është Kina, ku vlerësohet se kryhen rreth 6.9 milionë çdo vit.