13 kombëtare të Botërorit i kundërvihen presidentit të UEFA-s: Komentet e tua, thellësisht zhgënjyese

13 kombëtare, pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2026, kanë publikuar një deklaratë të përbashkët për të kundërshtuar presidentin e UEFA-s. Aleksander Čeferin deklaroi se zgjerimi i Botërorit në 48 skuadra ka krijuar ndeshje “pa interes”. Kombëtaret që nënshkruan deklaratën janë Afrika e Jugut, Algjeria, Kepi i Gjelbër, RD Kongo, Bregu i Fildishtë, Curaçao, Egjipti, Gana, Haiti, Maroku, Uzbekistani, Senegali dhe Tunizia. Ja deklarata e përbashkët:

“Me respekt, por me vendosmëri, i refuzojmë këto komente. Për vendet tona nuk ekziston asnjë ndeshje e parëndësishme e Kupës së Botës. Për Kepin e Gjelbër, Curaçaon dhe Uzbekistanin, kualifikimi në Botëror përfaqëson arritje historike dhe realizimin e një ëndrre të ndarë nga breza të tërë.

Për vende si RD Kongo dhe Haiti, rikthimi në skenën më të madhe të futbollit, pas një mungese të gjatë, ka rëndësi të veçantë për miliona tifozë që kanë pritur me vite, në disa raste me dekada, për këtë moment.

Të sugjerosh se këto ndeshje janë në njëfarë mënyre më pak të rëndësishme është thellësisht zhgënjyese dhe nuk njeh përpjekjen, sakrificën dhe aspiratat e lojtarëve, trajnerëve, klubeve, drejtuesve të futbollit dhe tifozëve në mbarë botën.

Pas çdo kualifikimi fshihen vite pune dhe investimesh. Pas çdo kombëtareje qëndrojnë komunitete të tëra dhe miliona njerëz që e shohin futbollin si burim krenarie, shprese dhe uniteti.

Futbolli nuk i përket një grupi të kufizuar kombesh, forca e tij qëndron tek universaliteti. Kupa e Botës është kompeticioni më i madh i futbollit në botë pikërisht sepse bashkon kultura, histori dhe rrugëtime të ndryshme futbollistike.

Për shumë vende, pjesëmarrja në Botëror nuk është thjesht një sukses sportiv. Është moment që frymëzon një brez, përshpejton zhvillimin e futbollit dhe krijon kujtime që zgjasin gjithë jetën.

Ne besojmë se çdo kombëtare që kualifikohet meriton respekt. Çdo ekip e ka fituar vendin e tij me meritë. Çdo tifoz ka të drejtë të ëndërrojë. Çdo ndeshje ka kuptim për miliona njerëz në mbarë botën.

Prandaj i refuzojmë komentet e presidentit të UEFA-s dhe rikonfirmojmë bindjen tonë se zhvillimi i futbollit duhet të vazhdojë të krijojë mundësi, të frymëzojë brezat e rinj dhe të forcojë natyrën vërtet globale të sportit tonë. ÇDO NDESHJE KA RËNDËSI”.

The post  13 kombëtare të Botërorit i kundërvihen presidentit të UEFA-s: Komentet e tua, thellësisht zhgënjyese appeared first on Telesport.