Në dy ditë bëhen plot dy vjet prej kur ka nisur gjykimi i madh në Dhomat e Specializuara të Kosovës “Thaçi dhe të tjerët”.
Kaq shumë kohë i është dashur edhe Prokurorisë për ta përmbushur çështjen e tyre dhe përmbyllur dosjen për sa i përket dëshmitarëve.
Nga sot e tutje, Prokuroria Speciale në Hagë nuk do të ketë mundësi që të thërras më asnjë dëshmitar në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, ku numri i tyre tash është treshifror.
125 është numri i dëshmitarëve për të dëshmuar fizikisht apo me videolidhje për të cilat mbrojtja ka pasur mundësi t’i bëjë kundër-pyetjet e veta.
Klan Kosova nga Haga tha se nga 125, vetëm 53 janë individë që iu dihet identiteti se kush kanë qenë këta dëshmitarë dhe kanë rrëfyer versionin e tyre për luftën e UÇK-së, krerët e të cilës po gjykohen tash e dy vjet, ndërsa qëndrojnë në paraburgim tash e 4 vjet e gjysmë.
“Prej këtyre 53 personave, dihet se 31 prej tyre janë shqiptarë, 15 janë ndërkombëtarë ndërsa shtatë serbë janë ata që iu dihet identiteti, kurse në seanca private kanë dëshmuar 71 persona. Përveç dëshmitarëve që kanë shkuar në gjykatoren e Gjykatës Speciale, në plot 179 ditë sa i janë dashur Prokurorisë për ta paraqitur çështjen e tyre për sa i përket numrit të dëshmitarëve, të paktën 101 është numri i atyre, dëshmia e të cilëve është pranuar vetëm me shkrim”.
“Sikurse ka ndodhur pa paralajmërim edhe me dëshmitarin e fundit, i cili ka qenë i planifikuar të paraqitet me video-lidhje sot në Gjykatën Speciale, ku avokatët kanë dashur medoemos t’i bëjnë kundër-pyetje për shkak të rëndësisë së këtij dëshmitari, por siç kemi marrë vesh, ky dëshmitar nuk është paraqitur as me video-lidhje për arsye shëndetësore, ndërsa nuk do ta ketë më statusin e dëshmitarit 126 në këtë gjykatë”.
Më tej, Klani raportoi se kanë kuptuar se ky dëshmitar (i fundit), ka pasur në plan që të dëshmojë për strukturën dhe formimin e UÇK-së, duke qenë se pjesë e gueriles është bërë qysh në pranverën e vitit 1998.
“Por shumica e dokumenteve që i janë paraqitur këtij dëshmitari gjatë intervistave të mëhershme të prokurorisë, vlen të përmendet që ky dëshmitar ka dëshmuar në plot 1 mijë e 770 faqe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, çka për mbrojtjen është dashur medoemos që të vijë në gjykatë dhe të përballet me kundër-pyetjet”.
“Shumica e këtyre dokumenteve, për shkak të të cilave ka kërkuar mbrojtja ta sfidojë, janë të tilla, që dëshmitari ka pranuar dhe pohuar se nuk i ka parë asnjëherë gjatë luftës, por ato janë marrë parasysh dhe tashmë dëshmia e tij është pranuar me shkrim”.